Një atentat ka ndodhur mbrëmjen e kësaj të diele ( 12 janar 2025) te Pallati me Shigjeta, ku një 56-vjeçar është qëlluar për vdekje në automjetin e tij, teksa po futej në shtëpi.
Burime për newspower.al bëjnë me dije se viktima është identifikuar si Bujar Nasufi dhe është ekzekutuar në momentet që po futej te dera e shtëpisë. Në vendngjarje janë gjetur 6 gëzhoja, të cilat besohet se i përkasin armës me të cilën është vrarë Nasufi. Autori ka qenë i maskuar me një kapuç dhe pasi ka qëlluar është larguar me një motor të zi drejt zonës së Selitës.
56-vjeçari nuk i ka mbijetuar plagëve të marra në pjesën e sipërme të trupit dhe ka humbur jetën teksa po trasportohej drejt spitalit të Traumës.
Sipas informacioneve të deritanishme, viktima ka një mobileri së bashku me vëllain e tij, ndërsa mësohet se nuk ka asnjë precedent penal.
Më datë 12.01.2025, rreth orës 20:40, tek “Pallati me Shigjeta” në rrugën “Myrte Zeneli”, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti me drejtues shtetasin Bujar Nasufi rreth 56 vjeç, i cili si pasojë ka humbur jetën”,- informoi policia e kryeqytetit.
Një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ndodhet në vendngjarje dhe vazhdon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar.
Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe po ushtrojnë kontrolle në zonë për kapjen e autorit.