Pa u zbardhur ende vrasja e 34 vjecarit Kristian Kola, Shkodra nuk gjen qetësi dhe një atentat mafioz tronditi sërish mëngjesin e së hënës kryeqëndrën e veriut. Bresheria e plumbave të kallashnikovit u përhap brenda një lokali në qëndër të qytetit, ngjitur me bashkinë Shkodër. Viktimë në vend mbeti ish këshilltari bashkiak Armando Pali, ndërsa në spital ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra edhe Liridon Kraja 31 vjeç. Të plagosur nga ky atentat mbeten Erogen Vaso, 43 vjec dhe kamarierja e lokalit 25 vjeçarja M.K. Shënjestër e atentatit dyshohet se ka qenë Erogen Vaso, i cili ka qenë bashkë në lokal me mikun e tij Armando Pali. Të dy kanë qenë më parë këshilltarë në Këshillin Bashkiak të Shkodrës nën logon e PBDNJ-së. Pali rezulton edhe ish punonjës i IMT-së në Shkodër. Erogen Vaso alias Erogen Brajoviç është vëllai i Denis Bajrit, i shumëkërkuari që u ekstradua në korrik nga Dubai me akuzën e vrasjes së Gjin Ndojit në vitin 2020 në Shkodër për llogari të Ervis Martinajt. Pak minuta pas ngjarjes policia arrestoi autorin e dyshuar, 29 vjeçarin Ragip Gilaj. Në momentin kur qëlloi drejt lokalit ka qenë me një motor, ndërsa më pas ka arritur që të largohet me një automjet tip BMë ngjyrë gri. Autori është aksidentuar në dalje të qytetit në tentativë për t’i ikur policisë. Pasi ka braktisur automjetin dhe ka tentuar që të ikë në këmbë drejt lumit Kir, ai është kapur nga forcat Shqiponja. 29 vjecarit i është sekuestruar edhe arma me të cilën kreu masakrën, ndërsa në vendngjarje mbeti i ndezur motorri me të cilin mbërriti për të kryer atentatin. Gilaj ka qënë i arrestuar në kuadër të operacionit policor “Imazhi fals”, në 2023, ku ju gjeten dhe sekuestruan 7 jelekë anti-plumb, 2 palë doreza, 3 maska, 2 paruke, municion luftarak, 1 kokore metalike, 1 armë gjahu dhe sende të tjera të kundërligjshme, si dhe sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis. Ende nuk dihen motivet e ngjarjes, por nuk përjashtohet pista e hakmarrjes.