Ballina Sport Asani e Seferi turpërojnë Çekinë, “legjionarët” nisen “Me plis për Berlin”

Asani e Seferi turpërojnë Çekinë, “legjionarët” nisen “Me plis për Berlin”

“Legjionarët” tanë kanë zhvilluar një ndeshje “magjike” mbrëmjen e kësaj të enjteje në mitkun “Air Albania”, teksa kanë arritur të mundin me rezultatin e thellë, 3 me 0, duke “blinduar” kështu vendin e parë në grupin E, të vlefshëm për fazën kualifikuese të Kampionatit Evropian të futbollit, Euro 2024.

Fillimisht ishte “perla” e Jasir Asanit, “perlë” e cila tundi rrjetën e portierit Pavlenka, në minutën e 9′ të sfidës, duke filluar festën e 22 mijë tifozëve të pranishëm, në mitikun “Air Albania”. Goli u pasua dhe nga raste të tjera të “kuqezinjve”, por më kot, goli i dytë nuk arriti të sigurohej.

Në krahun tjetër, çekët filluan menjëherë ofensivat sulmuese dhe në minutën e 40′ gjejnë golin e barazimit, por me ndihmën e arbitrave anësor, kryesori holandez, Danny Makkelie, fillimisht anullon golin pas shtyrjes së topit me dorë në rrjetën e Berishës e më pas nxjerr kartonin e kuq për “bomberin” Mojmir Chytil, me këtë të fundit që lë skuadrën e tij me 10 lojtarë në fushën e blertë, pas ndëshkimit me 2 kartonë të verdhë në fushën e blertë.

Me fillimin e pjesës së dytë, djemtë e teknikut Sylvinho arritën të gjejnë dhe 2 herë të tjera rrugën e rrjetës, me anësorin e sulmit, Taulant Seferi, i cili mposhi portierin Pavlenka, në minutat 51’ e 73’, duke “vulosur” rezultatin e përgjithshëm. Rrugën e rrjetës e gjeti dhe Muja në minutën e 82’-të të sfidës, mirëpo pas rishikimit të golit me “Sistemin VAR” goli rezultoi i parregullt.

Falë këtij triumfi, “legjionarët” tanë ruajnë vendin e parë në grupin E, kësaj radhe me 13 pikë, 4 më shumë se Polonia e vendit të 2-të, teksa në përballjet e radhës do të kenë kundërshtarë të lehtë, si Moldavia në transfertë dhe Ishujt Faroe, në mitikun “Air Albania”. 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks