Asambleja e Përgjithshme e Shoqatës Rajonale të Futbollit Shkodër u mblodh këtë të enjte në stadiumin “Loro Boriçi”, duke marrë vendime të rëndësishme për aktivitetet futbollistike që kjo shoqatë organizon.

Në këtë mbledhje morën pjesë 17 anëtarë të shoqatës, të përfaqësuar nga 21 delegatë, të cilët shqyrtuan dhe diskutuan pikat kryesore të rendit të ditës. Këto përfshinin raportin e aktiviteteve të Shoqatës, miratimin e pasqyrave financiare, buxhetin për vitin 2025, ndryshimin e emblemës, si dhe zgjedhjen e delegatëve që do të përfaqësojnë SHRF Shkodër në Asamblenë e Përgjithshme të FSHF-së.

Në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Shoqatës Rajonale të Futbollit Shkodër ishte i pranishëm edhe Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili fillimisht i uroi punime të mbara Asamblesë dhe falënderoi SHRF Shkodër për kontributin në zhvillimin e futbollit. Ai vuri theksin te rritja e numrit të futbollistëve gjatë vitit 2025, veçanërisht të vajzave.

“Dua t’ju falënderoj për kontributin tuaj gjatë vitit 2024 për zhvillimin e futbollit në Shkodër. Dua të falënderoj kryetarin e Shoqatës, Lazer Matija, për drejtimin e suksesshëm të Shoqatës për vitin 2024 dhe uroj që të njëjtën gjë ta bëjë dhe në vazhdim.

Është shumë e rëndësishme për të qenë transparent me fondet që ka Shoqata. Çdo anëtar të dijë deri në detaje dhe kjo është një gjë shumë e rëndësishme. SHRF Shkodër është një nga Shoqatat më të rëndësishme, për faktin se ka një numër të konsiderueshëm futbollistësh. Sepse këtu ka lindur futbolli dhe kjo është një gjë e rëndësishme, jo vetëm futbolli i djemve, por këtu ka lindur edhe futbolli i vajzave dhe detyrimi e vëmendja jonë është akoma më e shtuar për rajonin e Shkodrës.

Duke qenë se mora fjalën për t’ju përshëndetur dhe për t’ju falënderuar për 2024-ën, unë mendoj që në 2025 duhet të kemi disa objektiva dhe të mendojmë për të përmirësuar disa gjëra për të realizuar qëllimet tona. Sot në SHRF Shkodër stërviten 1100 futbollistë, për popullsinë që ka Shkodra dhe dashurinë që ka për futbollin, padyshim që ne duhet të pretendojmë të kemi pesëfishin e këtyre numrave.

Objektivat janë akoma më shumë që Shoqata të prodhojë mjete financiare për veten e vet, gjë që akoma nuk e keni. Ju faleminderit dhe uroj punime të mbara të Asamblesë”, – tha Presidenti Duka.

Presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferri verifikoi mandatet, ndërsa më tej, kryetari i SHRF Shkodër, Lazër Matija, mbajti një fjalë përshëndetëse, ku vlerësoi rritjen e pjesëmarrjes së fëmijëve në futboll në këtë rajon dhe suksesin e projekteve të shoqatës. Ai theksoi nevojën për përmirësimin e infrastrukturës dhe rëndësinë e bashkëpunimit për zhvillimin e mëtejshëm të futbollit në rajon.

Më pas me anë të votimit u miratuan pasqyrat financiare dhe buxheti për vitin 2025. Gjithashtu u miratua edhe ndryshimi i emblemës së SHRF Shkodër.

U zgjodhën edhe delegatët që do të përfaqësojnë SHRFSh-në në Asamblenë e Përgjithshme të FSHF-së të propozuar nga anëtarësia. Pas votimit të anëtarëve të SHRFL-së u zgjodhën delegatë Lazër Matija dhe Alfred Pjetri.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu