Partia Socialiste ka njoftuar zhvillimin e Asamblesë Kombëtare më datë 11 shtator 2025, duke nisur nga ora 09:30, në ambientet e kompleksit “Xibraku”. Kjo mbledhje vjen pas fitores në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, ku PS siguroi 83 mandate.
Gjatë kësaj Asambleje pritet të bëhet prezantimi i strukturës së re të qeverisë, e cila do të drejtohet nga kryeministri Edi Rama për një mandat tjetër katërvjeçar.
Sipas agjendës së publikuar, mbledhja do të nisë me miratimin e rendit të ditës, pasuar nga fjala e kryetarit të PS, Edi Rama. Më pas, anëtarët e Asamblesë do të kenë hapësirë për diskutime, pyetje dhe komente, ndërsa pjesa e fundit do t’i kushtohet çështjeve të ndryshme.
Ky takim është thirrur në përputhje me nenin 37, pika 5 të Statutit të Partisë Socialiste dhe pritet të shënojë një moment kyç në nisjen e mandatit të ri qeverisës.
Rendi i ditës:
Mbështetur në Statutin e PS, neni 37, pika 5, ju njoftojmë se më datën 11.09.2025, ora 09.30, tek kompleksi “Xibraku” do të zhvillohet mbledhja e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste me këtë rend dite:
- Hapja e mbledhjes dhe miratimi i rendit të ditës
- Fjala e kryetarit të PS Edi RAMA
- Mendime, pyetje dhe diskutime
- Të ndryshme
Pjesëmarrja juaj është e domosdoshme për vijimin e punimeve të Asamblesë.