Në zemër të natyrës, mes freskisë dhe magjisë që të ofrojnë Alpet e Shqipërisë, në Shkrel të Malësisë së Madhe, në ambientet e famullisë, është çelur kampi veror “Artizan i Shpresës”. Një nisëm që prej vitesh synon t’i mbajë të angazhuar të rinjtë e kësaj zone, që vit pas viti po përballet me sfida të mëdha, e ku plaga më e rëndë është shpopullimi. Dikur mbi 3 mijë banorë, sot në këtë fshat kanë mbetur vetëm 1 mijë të tillë, pasi në masë shpresen e kanë parë diku tjetër, shumica në SHBA e Kanada, apo vendet e Europës. Famullitari dom Nikolin Sheldija, ka edhe një apel ndaj institucioneve që të bëjnë më shumë për këtë zona.
Sivjet kampit i janë bashkuar edhe 20 të rinj skautë nga Ferrara, Itali, të cilët kanë udhëtuar për të ndarë përvojat e tyre dhe për të ndërtuar ura miqësie me bashkëmoshatarët shqiptarë.
Giovanni Rosso: Është hera e parë që vijmë në Shqipëri si grup skaut. Sivjet zgjodhëm vendin tuaj sepse udhëheqësi i grupit tonë është shqiptar, por edhe sepse është një vend shumë i bukur. Mund të them se këtu mes natyrës bëhet edhe më tërheqëse pamja, ka shumë për të bërë. Do të jemi deri me 31 gusht. Dita është e gjatë dhe e lodhshme, pasi nis me fëmijët e vegjël, me punët në grup, lojërat argëtuese. Shqipëria është e ngjashme me Italinë dhe gjendemi shumë mirë këtu, kemi të përbashkëta të shumta. Njerëzit janë mikpritës dhe përfshihen.
Milana Labazanova: Për mua është hera e parë që jam në Shqipëri dhe më pëlqen shumë ambjenti këtu dhe njerëzit mbi të gjitha. Ndjehem e lirë të flas me të tjerët, një vend shumë mikpritës. Dita jonë është e gjatë dhe nis me fëmijët, organizojmë lojëra të ndryshme, mësime, ndërveprojmë. Shumë argëtuese për të gjithë, pastaj gjuha megjithë vështirësitë, është e bukur se këtu kuptojnë italishten pjesa më e madhe, por e miksojmë edhe me anglishten. Gjëja e parë që më ka bërë përshtypje këtu është mikpritja e njerëzve.
Anna Carrà: Gjendem për herë të parë në Shqipëri dhe po më pëlqen jashtë mase. Kisha kohë që doja ta vizitoja, është pak ndryshe nga sa e prisja, por është shumë mikpritës dhe gjendesh mirë. Këtu kishim kontaktet dhe prandaj duke qënë më e lehtë, erdhëm sivjet këtu. Dita për ne mbetet e vecantë, nis me mëngjesin, lojërat që duam të bëjmë, ndahemi ne grupe me punë të ndryshme, mësime, duke parë vende të reja. Të rinjtë këtu janë të hapur dhe bashkëpunues, kanë dëshirë të ndërveprojnë. Këtu janë të shkathtë pasi mendoja se të rinjtë nuk dinin italisht, por është bukur të flasësh me ta, e ne jemi duke u përpjekur të mësojmë shqip. E kemi nisur me numrat si hap i parë.
Përmes lojërave, aktiviteteve edukative, punëtorive artizanale dhe momenteve të paharrueshme argëtimi, kampi synon të japë një frymë të re në një nga zonat që vuan një nga plagët më të mëdha të kohës, shpopullimin. Por ky kamp është më shumë se një pushim veror, është një mision për të ngjallur ndjenjën e përkatësisë te të rinjtë, për t’i lidhur më fort me rrënjët dhe për t’u kujtuar se vendi i tyre ka vlera për të cilat ia vlen të qëndrojnë.