Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka reaguar në lidhje me aksionin për arrestimin e 9 punonjësve të aeroportit të Rinasit. Përmes një mesazhi, Balla përgëzoi Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore për rezultatet e dukshme dhe premtuese për një intensifikim edhe më të madh të këtij procesi vetëpastrimi.

Reagim i ministrit të Brendshëm, Taulant Balla:

Rritja e besimit të publikut tek Policia e Shtetit lidhet në mënyrë të pandashme me procesin e vetëpastrimit, përmes të cilit po largojmë ditë pas dite nga trupa e shëndoshë e Policisë elementët e dëmshëm, të inkriminuar apo shkelës së etikës, të cilët njollosin punën e palodhur të mijëra e mijëra uniformave blu që shërbejnë me vendosmëri të palëkundur shtetit të së drejtës dhe në mbrojtje të qytetarëve të këtij vendi.

Përgëzime Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore për rezultatet e dukshme dhe premtuese për një intensifikim edhe më të madh të këtij procesi vetëpastrimi.

E nxis AMP të forcojë bashkëpunimin institucional me SPAK, prokuroritë e jurisdiksionit të përgjithshëm, si dhe me agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit dhe inteligjencës dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, për të garantuar standarde të larta të integritetit dhe pastërtisë së figurës së punonjësve të policisë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu