Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan shtetasin A. D., 58 vjeç, banues në Shkodër, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur. Gjithashtu, këta specialistë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit L. S., 61 vjeç, banues në fshatin Kullaj, G. P., 67 vjeç, banues në fshatin Paçram dhe I. A., 77 vjeç, banues në fshatin Vukatanë, pasi u kapën duke drejtuar motomjete, pa leje drejtimi.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Shkodër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi për shtetasin R. H., 22 vjeç, banues në Sukth, për veprën penale “Kontrabanda me mallra për të paguhet akcizë”, pasi është kapur nga shërbimet e Policisë Kufitare Muriqan, në kufi, duke transportuar me automjet, mallra të ndryshme të dyshuara të kontrabanduara. Mallrat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin E. K., 39 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave kontrabandë”, “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Fshehja e të ardhurave”, “Shkelja e të drejtave industriale” dhe “Punësimi i paligjshëm”, pasi gjatë kontrollit në subjektin e tij tregtar (servis automjetesh), u konstatuan pjesë të ndryshme automjetesh, të dyshuara të kontrabanduara/pa fatura tatimore. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 50 pjesë automjetesh.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit: -E. M., 19 vjeç, pasi nga kontrollet e kryera në bashkëpunim me shërbimet e OSHEE-së, në banesën e tij, u konstatua lidhje e paligjshme e energjisë elektrike; -B. O., 38 vjeç, banues në fshatin Vukatanë, pasi ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së tij. Dje, në fshatin Vermosh, ka humbur jetën, në rrugë, dyshohet për shkak të arrestit kardiak, shtetasi E. S., 40 vjeç, banues në fshatin Vermosh.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.






