Në kuadër të punës për rritjen e sigurisë dhe luftën ndaj shkeljeve të ligjit, specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor kanë arrestuar në flagrancë dy shtetas, të cilët po udhëhiqnin automjetet në gjendje të dehur:
- F. E., 41 vjeç, banues në fshatin Trush, u kap duke drejtuar automjetin nën ndikimin e alkoolit.
- L. P., 72 vjeç, banues në fshatin Gril, u kap gjithashtu duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.
Në lidhje me këtë, Policia apelon për një sjellje më të përgjegjshme nga drejtuesit e automjeteve, në mënyrë që të shmanget çdo rrezik në rrugë.
Ndërkohë, specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve kanë referuar materialet në Prokurori dhe kanë filluar procedimin në gjendje të lirë për A. H., 32 vjeç, banues në Kosovë. Gjatë një kontrolli në Pikën e Kalimit Kufitar Muriqan, shërbimet e Policisë Kufitare kanë gjetur një sasi të vogël lënde të dyshuar narkotike kanabis, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Po ashtu, në Komisariatin e Policisë Vau i Dejës janë referuar materialet për një ngjarje tjetër, ku është nisur procedimi për K. Z., 30 vjeçe, pasi ka shqetësuar një shtetase përmes telefonit celular.
Në një tjetër operacion, Policia ka nisur procedim në gjendje të lirë për tre shtetas N. M., V. M. dhe M. M., të cilët janë kapur gjatë kontrollit të energjisë elektrike nga shërbimet e OSHEE-së, duke kryer lidhje të paligjshme të energjisë në banesat e tyre.
Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme.