Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri ka publikuar një njoftim në rrjetet sociale duke paralajmëruar qytetarët shqiptarë të mos bien pre e agjentëve të rremë për aplikimet për viza jo-emigruese.
Në postim theksohet se nuk është i nevojshëm asnjë ndërmjetës për të aplikuar për një vizë amerikane, pasi i gjithë procesi mund të kryhet online në vetëm tre hapa të thjeshtë.
“Nuk keni nevojë për një agjent vizash për të aplikuar për një vizë amerikane jo-emigruese. Procesi i aplikimit është i thjeshtë dhe mund të përfundohet online,” thuhet në njoftim.
Ambasada gjithashtu tërheq vëmendjen se përdorimi i agjencive që ofrojnë informacion të pasaktë ose të rremë mund të çojë në refuzimin e vizës. “Mos harroni, nëse një agjenci ofron informacion të pasaktë ose të rremë, ju jeni përgjegjës dhe viza juaj mund të refuzohet! Plotësojeni vetë aplikimin tuaj,” paralajmëron Ambasada.
Në përfundim, ajo rikujton se vetë Ambasada Amerikane në Tiranë është i vetmi burim zyrtar për informacionet rreth vizave dhe se të gjitha shërbimet janë pa pagesë.