Lihet në fuqi vendimi i shkallës së parë për ish Kryebashkiakun e Fushë Arrëzit, Fran Tuci. Dëjohet nga Apeli me vendim të formës së prerë:
1 vit e 6 muaj burgim për Fran Tucin dhe Ndoc Markun, ndërsa për Durim Margjekajn dënimin 3 vjet heqje lirie. Në aplikim të gjykimit të shkurtuar, tre të dënuarit përfitojnë uljen e një të tretës së dënimit, ku si përfundim dy zyrtarët vendor do të vuajnë nga 1 vit burgim, ndërsa ndërtuesi 2 vjet.
Ish-kryetari socialist i Bashkisë së Fushë-Arrëzit, Fran Tuci u arrestua në muajin korrik 2023. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi atëherë se kallëzimi për Tucin ishte depozituar nga Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, që kishte gjetur se ish kryebashkiaku kishte lejuar ndërtimin e një rruge të re që ka shkatërruar një fond pyjor me vlerë 234 milion lekë.
Sipas SPAK, në kundërshtim me të gjithë kuadrin ligjor në fuqi, ishte hapur një segment i ri rrugor me gjatësi rreth 1.8 km dhe gjerësi rreth 5 m, që ka cënuar një sipërfaqe të konsiderueshme të fondit pyjor në pronësi të Bashkisë Fushë Arrëz, si edhe ka dëmtuar rëndë terrenin që i përket këtij fondi pyjor.
Ndërhyrja është kryer në vitin 2021, në një rrugë që lidh fshatin Iballë me fshatin Shopel. Rruga e re është një devijim nga rruga ekzistuese që shkurton distancën mes dy fshatrave, por hetimet gjetën se punimet, që pretendohet se janë financuar vullnetarisht nga banorët, janë kryer pa leje, pa plan dhe pa projekt.
Fran Tuci ka qenë kryetar i bashkisë së Fushë-Arrëzit nga viti 2015 deri në zgjedhjet e majit 2023 kur humbi në garën për mandatin e tretë përballë kandidatit të opozitës Hilë Curri.