Sa e përgatitur është Shqipëria për të përballuar rrezikun që vjen nga përmbytjet dhe ndryshimet klimatike, për shkak të investimeve të pamjaftueshme parandaluese në këtë drejtim?
Historiku i viteve të fundit ka treguar që intensiteti i shirave në periudhën vjeshtë-dimër ka sjellë përmbytje të vazhdueshme në zona të caktuara të vendit, me pasojë dëme të konsiderueshme për fermerët dhe agrobizneset.
Në vitin 2019, qeveria miratoi Strategjisë Kombëtare të Ujitjes dhe Kullimit 2019– 2031 dhe planin e veprimit e cila kishte pikërisht në fokus marrjen e masave konkrete në këtë drejtim për të parandaluar përmbytjet, por mesa duket 5 vite pas, efektet kanë qenë minimale.
Por sa do të kushtonte e gjithë ndërhyra e nevojshme për shmangien e këtij fenomeni që sjellë dëme të pallogaritshme çdo vit për familjet shqiptare dhe sa e përballon buxheti i shtetit?
Sipas vlerësimit të bërë nga Ministria e Bujqësisë, për një periudhe 10-13 vjeçare, ku llogaritja është bërë që nga viti 2019, kostoja totale për rehabilitimin dhe modernizimin e infrastrukturës së ujitjes, infrastrukturës së kullimit, digave të rezervuarëve të ujitjes dhe objekteve të mbrojtjes nga përmbytja, është rreth 717 milionë USD.
Nga ky total 253.6 milionë USD, vlerësohet rehabilitimi dhe modernizimi i infrastrukturës së ujitjes për të mundësuar ujitjen në sipërfaqen potencialisht të ujitshme prej 360 mijë ha; 56.5 milionë USD rikthimi i infrastrukturës së kullimit në parametra optimal në sipërfaqen potencialisht të kalueshme prej 280 mijë ha; 130.2 milionë USD rehabilitimi i 410 digave (ose rreth 65% e numrit të përgjithshëm) për rritjen e sigurisë së tyre dhe garantimin e burimeve ujore për skemat ekzistuese; 276.8 milionë USD rritje e sigurisë së mbrojtjes nga përmbytja lumore dhe detare, nëpërmjet rehabilitimit/ rikonstruksionit të argjinaturave ekzistuese dhe ndërtimit të strukturave reja.
Ndërkohë që duke zbritur investimet që janë bërë deri në 2022, nga viti 2022-2031, llogaritej një nivel investimi rreth 700 milionë dollarë.
Ministrja e Bujqësisë theksoi pak ditë më parë se kjo faturë është ende në të njëjtat nivele, çka do të thotë se nëse do të mbulohej nga buxheti i shtetit, do ti duhej të vendoseshin në dispozicion mesatarisht afro 100 milionë dollarë në vit deri në 2031-shin me qëllim zgjidhjen e këtij problemi, ndërkohë që fondet vjetore të akorduara për këtë zë në buxhet mbulojnë vetëm 20 për qind e nevojës për tu investuar./scan