Përfaqësuesi ligjor i PD, Marash Logu, ka paraqitur një kërkesë drejtuar KAS, ku kërkon përjashtimin e anëtarit të PS Ilir Rusmaili ndërsa po shqyrtohet ankimimi i bërë për rezultatin zgjedhor në Shkodër.
Rusmali ishte i vetmi që votoi pro kërkesave të kandidatëve demokratë, Ilir Alimehmeti, Ilirjana Kuçana, Mimoza Hajdarmataj dhe Lisandër Hoxha, për ankimimin në KAS, të cilët kërkonin rinumërimin e votave preferenciale të tyre.
Në ankesë thuhet se Rusmali është në kushte njëanshmërie për shkak të pozicionit të tij në presidencë. Sipas PD, prania e tij në KAS, teksa ushtron edhe detyrën e këshilltarit ligjor të Bajram Begajt, paraqet një sërë problematikash të natyrës kushtetuese dhe ligjore, duke filluar nga fakti se ndërhyrja e institucionit të presidentit, bie ndesh me nenin 86 të kushtetutës.
“Përmes angazhimit të kabinetit të presidentit të republikës, cenohet rëndë parimi i neutralitetit politik dhe përfaqësimit të unitetit të popullit.”, thuhet në ankesë.
PD përmend edhe shkresën drejtuar presidentit javën e kaluar, ku kërkonte mosndërhyrjen e presidencës në procesin zgjedhor dhe ruajtjen e neutralitetit politik të këtij institucioni. Sipas PD, dyshimet për anshmëri nga Rusmali, përforcohen edhe nga veprimet dhe vendimmarrjet e tij.
“Në përbërje të trupës së KAS që do të shqyrtojë kërkesën ankimore me nr. 4933 prot, datë 27.05.2025, është edhe shtetasi Ilirjan Rusmali, prania e të cilit nuk garanton një proces të rregullt ligjor për palën ankuese, në drejtim të garantimit të parimit të paanshmërisë. Ky anëtar, për shkak të funksionit zyrtar që mban pranë presidentit të republikës, si dhe vendimmarrjeve të ndërmjetme me ankimet tona të mëparshme, ashtu edhe fjalëve dhe shprehjeve që ka përdorur në raport me përfaqësuesin ligjor të ankuesit, vlerësojmë se është në kushte njëanshmërie dhe si i tillë duhet të përjashtohet nga shqyrtimi i kërkesës ankimore, objekt shqyrtimi në procedurë administrative.”, thuhet mes të tjerash në ankesë.
Kujtojmë që pak ditë më parë, Gazment Bardhi në emër të grupit parlamentar të PD, i dërgoi një letër presidentit, që të mos lejojë ndërhyrjen e anëtarëve të kabinetit të tij në procesin e administrimit të zgjedhjeve.