Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Marco Alberti, deklaroi në një intervistë televizive në emisionin “Realitete shqiptaro – italiane”, në Radio Televizionin Shqiptar u shpreh se marrëdhëniet mes dy vendeve kanë një potencial të madh që ende nuk janë shfrytëzuar plotësisht.
Alberti theksoi angazhimin për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe kulturor mes Italisë dhe Shqipërisë. Ai nënvizoi se do të vazhdojnë të mbështesin bizneset e vogla dhe të mesme që tashmë operojnë në vend, ndërsa theksoi se një ndër objektivat është të sjellë kompani të mëdha të investojnë në vendin tonë.
Potenciali i marrëdhënieve Itali-Shqipëri është i madh, ka pjesë të këtij potenciali që nuk janë shfrytëzuar dhe unë jam përqendruar në to. Një ndër objektivat është të sjellim kompani të mëdha. Janë rreth 3000 ndërmarrje italiane që operojnë këtu, do të vazhdojmë të mbështesim ndërmarrje të vogla e të mesme, do të donim edhe ndërmarrje të mëdha për të hapur më shumë vende pune për të thelluar e forcuar praninë strategjike italiane në vend. Unë besoj se janë gjasat për të, pala shqiptarë është shprehur në favor. Italia ka besim tek Shqipëria”, tha Alberti.
Ambasadori gjithashtu vlerësoi marrëdhëniet mes dy popujve, duke përmendur se shumë italianë jetojnë në Shqipëri, ndërsa shqiptarët janë ndër komunitetet më të integruara në Itali. “Sipas regjistrimit vjetor në IRE janë rreth 3000 persona, por besoj se janë të paktën 10 herë më shumë ata që qëndrojnë këtu jo për periudha shumë të gjata. Është një e dhënë e rëndësishme që tregon se italianët ndihen mirë këtu, si në shtëpinë e tyre. Shqiptarët janë më të integruar në Itali dhe në rend numerik zënë vendin e dytë ndër komunitete e huaja të pranishme në Itali. Integrimi i shqiptarëve në Itali është një fakt pozitiv dhe shpresë dhënë dhe e anasjelltë, pasi italianët këtu ndihen shumë mire”, tha Alberti.
Duke folur për rëndësinë e kulturës, Alberti theksoi se ajo duhet të shihet edhe si një platformë për zhvillimin ekonomik. “Binomi është kulturë dhe biznes. Kultura është platforma nëpërmjet të cilës është e mundur të gjenerohen edhe forma të biznesit, forma të fitimit. Ajo që duam të bëjmë është të gjejmë rrugë dhe mënyra që ndihmojnë bizneset të kenë edhe një vizion kulturor”, tha ai.
I pyetur për aktualitetin politik në vend, ambasadori përmendi pjesëmarrjen gjithëpërfshirëse në aktivitetet e ambasadës.
“Ishin edhe përfaqësues të opozitës në festën e Republikës, ideja jonë nuk është të punojmë vetëm më institucionet e qeverisë ka një hapje të ambasadës ndaj të gjithëve. Populli shqiptar votoi, zgjodhi. Do të fillojë etapë e re e historisë së Shqipërisë, ne do të shohim dhe do të bashkëpunojmë me të gjithë që janë të gatshëm të bashkëpunojnë me ne”, u shpreh Alberti.