Ikja e të rinjve është sfida më e madhe që ka Shqipëria dhe ndaj këtij fenomeni Mbretëria e Bashkuar ka patur një fokus të veçantë për ta frenuar. Nga Shkodra ku zgjodhi të organizojë “Festën Britanike të Çajit”, ambasadori Alastair King-Smith, u ndal tek mbështetja që është dhënë për të zbutur këtë plagë.

(Shumë të rinj, veçanërisht nga veriu mendonin se mundësia e vetme dhe më e mirë ishte ta linin Shqipërinë dhe të udhëtonin në mënyrë të paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar. Pjesërisht, kjo është si pasojë e ndikimeve sfiduese të pabarazisë së zhvillimit, në të gjithë vendin. Falë ndihmës tuaj, nisëm ta ndryshojmë këtë duke krijuar partneritete të reja për të shtuar lidhjet e biznesit, arsimit dhe ato kulturore mes Mbretërisë së Bashkuar dhe veriut të Shqipërisë”.

Duke vlerësuar marrëdhëniet e mira mes dy vendeve tona, ambasadori foli me një fokus të veçantë për Shkodrën dhe mbështetjen që i duhet dhënë veriut të Shqipërisë. Megjithë punën e bërë shifrat tregojnë ende se shumica e të rinjve vazhdojnë të synojnë largimin nga Shqipëria.

(Në të njëjtën kohë nuk duhet të vetëkënaqemi, e dimë prej studimit më të fundit të Këshillit Britanik se mbi dy të tretat e të rinjve vazhdojnë të synojnë largimin nga Shqipëria. Kjo është arsyeja pse financuam kryerjen e një vlerësimi ekonomik rajonal për të gjithë veriun, duke punuar në të gjithë rajonet e Shkodrës, Dibrës dhe Kukësit. Lidhjet e gjera rajonale do të jenë thelbësore për suksesin tonë të ardhshëm. Ne kemi ngritur Qendrat e Sipërmarrjes Rinore në Kukës, Has, Tropojë dhe Dibër, plotësisht të financuara nga Mbretëria e Bashkuar. Ne kemi fuqizuar mbi 1000 të rinj, aspirantë dhe sipërmarrës të rinj, përmes programit të mentorimit për mikro-biznesin, përfshirë kodimin dhe marketingun digjital. Ne kemi fuqizuar 674 të rinj më aftësi sipërmarrëse dhe punësimi dhe si rezultat, 120 prej tyre kanë siguruar vende pune dhe 52 kanë nisur bizneset e tyre. Kemi investuar në IT dhe laboratorë të teknologjisë, biblioteka dhe shërbime të këshillimit të karrierës në pesë shkolla, duke fuqizuar kësisoj një total prej 2830 studentësh. Kemi garantuar 120 bursa studimi për trajnime profesionale dhe programe të arsimit të lartë).

Trafiku i qënieve njerëzore është një tjetër shqetësim që ngriti ambasadori Britanik në fjalën e tij.

(Tashmë e dimë që trafiku i qenieve njerëzore vazhdon të jetë një problem, veçanërisht në veri. Kësisoj, Mbretëria e Bashkuar do të mbështese 250 persona për të patur akses në shërbimet profesionale dhe mbështetjen për riintegrimin, përmes koalicionit kombëtar të strehave, si edhe duke bashkëpunuar me policinë për hetimet. Ne dëshirojmë të vazhdojmë të frymëzojmë njerëzit të qëndrojnë në Shqipëri. Këto iniciativa direkte do të shoqërohen me fushatën tonë të komunikimit për t’i dhënë zë modeleve pozitive-  “Ndërto të ardhmen tënde këtu!)”

Pjesë e kësaj mbrëmje ishin ministra të kabinetit qeveritar, kryetarët e bashkive Shkodër e Prishtinë, ambasador, drejtues vendorë dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe shoqërisë civile. Gjatë diskutimeve u fol edhe për mbështetjen britanike në ndërtimin e hekurudhës Durrës – Prishtinë, si dhe partneritetin e këshillit britanik me universitetin “Luigj Gurakuqi” etj.

 

 

 

 

 

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu