Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, ka dënuar sulmet e kreut te PL Ilir Meta, ndaj SPAK si dhe ndaj drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumanit. Në një reagim në rrjetet sociale, ambasada e SHBA-së nënvizon se do të qëndrojë në krah të profesionistëve të drejtësisë që respektojnë ligjin dhe do të mbështesë të gjithë ata që kërkojnë t’i japin fund pandëshkueshmërisë.
Do të vazhdojmë të qëndrojmë krah shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë që mbështesin institucionet e reja të drejtësisë dhe rolin kyç që ato luajnë në demokracinë e Shqipërisë, theksohet ndër të tjera në reagimin e ambasadës së SHBA.
‘Përshëndesim dënimin nga KLP të sulmeve të drejtpërdrejta dhe të tërthorta kundër SPAK-ut në ditët dhe javët e fundit. Do të vazhdojmë të qëndrojmë në krah të shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë që mbështesin institucionet e reja të drejtësisë dhe rolin kyç që ato luajnë në demokracinë e Shqipërisë. SHBA qëndron në krah të profesionistëve të drejtësisë që respektojnë ligjin dhe do të mbështesë të gjithë ata që kërkojnë t’i japin fund pandëshkueshmërisë.’- shkruan në një njoftim në rrjetet sociale, ambasada e SHBA.