Nga Ledi Shamku Shkreli/ ALFABETI NË MES TË RRUGËTIMIT EUROPIAN
(Një propozim për ta viju idenë e Abat Doçit dhe Konicës)

Pavarësisht ndeshtrashave historike që shtrënguan rrjedhën e përdorimit publik të shqipes letrare, qyshse doli nga prehistoria (e saj) e u shfaq si gjuhë e shkruar, mund të thuhet se deri në gjysmën e shek. XX, korpi i kësaj shqipeje kish mundur të naltohej kryesisht sajë kompromisesh jo të vogla bërë prej elitave që e selitnin atë. Në themel të këtyre ujdive, me rëndësi jetike për gjithë shqiptarët, fillimisht qëndronte përdallimi etnik, e më tej: çështja kombëtare.

Parsat e lëvizjeve të mëdha kulturore shpesh lëshuan pjesë nga bindjet e pëlqimet e veta, për ta lënë kulturën shqiptare të rritej pa humbur më kohë, kryesisht në momentet më delikate të ardhmënisë së kombit tonë, të cilat u përthekuan me hyrjen në historinë e re. Një nga shembujt e vonë, më domethënës të këtyre ujdive mbarëkombëtare, qe pikërisht Kongresi i Manastirit. Ky ish një kongres linguistik i thirrur për të rregullarizuar, normuar, e mundësisht sanksionuar, alfabetin modern e të unjisuar të gjuhës arbënore, i cili alfabet, pavarësisht luhatjeve në kohë (për pasojë të trysnisë sllave, greke apo turke), ish paraqitur qysh në krye të herës, e në vijimësi, me bazë solide latine.

Do ndaloj këtu në dy aspekte të tij cilat kanë pasë ndikim të rëndësishëm në ecurinë pasmanastirore të gjuhës – më pak deri në Luftën e Dytë e më tepër pas saj – e që mendoj se duhen vënë në fokus nga studiuesit e sotëm:

E PARA çështje ka të bëjë me probleme të paraqitjes grafike (shkronjore) të alfabetit të gjuhës shqipe dhe specifikisht me digramat e saj, të cilat për të mbuluar tinguj të caktuar, u krijuan duke përdorur germa të dyta (h dhe j) ose dopio (rasti i digramës ll).

Me germën e dytë h, formohet shumica e digramave të shqipes të cilat mbulojnë përkatësisht tingujt dh, sh, th, xh dhe zh. E deri këtu, për ortografinë dhe didaktikën, nuk duket se ka ndonjë problem. Por ndërkohë, veç tyre, ekzistojnë edhe dy digrama të tjera, përkatësisht ato gj dhe nj. Këto dy digrame, të cilat u bënë me dëshirën e mirë për të përfaqësuar tinguj specifikë të gjuhës, e madje shumë të vjetër të saj, çuditërisht (për arsye të cilat hanë diskutim) i’u shmangën logjikës së përgjithëshme të krijimit të digramave të grupit të parë që ai Kongres, duke u mbështetur edhe në traditat e mëparshme, miratoi. Kështu digramat që përfaqësonin tingujt gj dhe nj, u formuan duke i shtuar g-së dhe n-së grafemën j, por jo atë h, sikundër qenë formuar digramat dh, sh, th, xh e zh (madje po përmendim këtu edhe faktin se, në këtë rrjedhë, shoqëria “Bashkimi” kish propozuar me të drejtë që edhe tingulli ç të paraqitej jo me këtë germë “të rrallë”, por me një digramë normale të formuar sikundër të tjerat, dmth prej germës c plus h; të qe pra ch).

Sikur të mos mjaftonte kjo anomali, një tjetër grup digramsh, të themi i një lloji të tretë, është ai që përfaqëson tingujt ll dhe rr të cilat u formua sipas një tjetër shtegu: atij të përdorimit të së njëjtës germë, përsëritur dy herë; pra l+l dhe r+r. Mbërrihet kësisoj në tre lloje digramash, dy formuar përmes shtesave me germat h, j dhe një tjetre përmes përsëritjes së të njëjtës germë dy herë, atyre l dhe r.

Parë në kontekstin e kohës, dhe kuptuar klima në të cilin u zhvilluan punimet e Kongresit të Manastirit, alfabeti që u krijua ish një arritje madhore, por vështruar sot, në distancë njëshekullore nga ai sanksionim, mund të themi se është disi rrëmujë. Duke evituar në këtë shkrim përsëritjen e arsyeve që sollën në vendime të tilla, debatet e kohës, apo edhe arsyetimet mbi fonofaginë që një pjesë e këtyre digramave kanë shkaktuar mbi tinguj të shqipes (kryesisht në ligjërime që nuk i përkisnin asaj pjese të toskërishtes ku më pas u mbështet standarti) do duhej që këto digrame a dyshkronjësha të rregullarizohen sot sipas të njëjtave parime që u patën formuar edhe pjesa më e madhe e tyre, duke krijuar vargun normativ: ch, dh, gh, lh, nh, rh, sh, th, xh, zh. Lidhur me këtë, grafistika dëshmon se “në gjuhët moderne, germa h përdoret rëndom në kompozimin e mjaft grupeve fonetike, të ashtuquajturat bashkëtingëllore dyshe: ch në frengjisht që i korrespondon sh-së; ndërsa në spanjisht e anglisht përkon pak a shumë me ç-në; po ashtu kemi lh dhe nh në provencalisht e portugisht, apo ph dhe th, që përdoren tek ato fjalë që vijnë nga hebraishtja dhe greqishtja; kemi edhe rh e cila përkon me rr-në e butë; ch dhe gh, të përdorura në italishte për të shenjuar tingullin e fortë gutural të c dhe g“[1].

Kështu pra, parë sot nën dritën e zhvillimeve të grafive dhe alfabeteve bashkëkohore, është bartur deri në ditët tona, e pa më të voglin rregullim, alfabeti dhe germat e formuluara në vitin 1908-ë, me gjithë pështjellimin grafik pasues. Kjo papërsosmëri nuk e cënon aspak arritjen madhështore të atij kongresi fatlum dhe nuk rrënon asnjë pjesë të ngrehinës që misat e tij lartuan, por si çdo ngrehinë tjetër në këtë tokë, edhe kjo ka nevojë të mirëmbahet, përsoset e plotësohet në rrjedhë të kohëve. Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se ajo qe një punë e vendosur prej njerëzish të mëdhej, ndryshe nuk do kish kaptuar një shekull, por po aq jemi të vetëdijshëm se koha ka nxjerrë në pah edhe atë pjesë të “imperfeksionit të natyrshëm njerëzor”, i cili, po prej njerëzve, me kohë e kur të krijohen kushtet, duhet rregulluar (siç kanë bërë edhe gjuhët e tjera në Europë, edhe në këto dekada të fundit); ndoshta jo krejt menjëherë, por me rradhë e dora-dorës.

Fare mirë mund të fillohet prej germës ç, e cila paraqitet sot më problematikja në rrjedhen e komunikimit te shtuar publik edhe si rezultat i përparimit të teknologjisë shkrimore nga dora, te shtypshkrimi e nga ky i fundit tek epoka digjitale. Mjafton t’u hidhet një sy mijëra blogjeve të internetit, miliona dosjeve kompjuterike dhe miliarda komunikimeve on-line për të kuptuar ngërçin tashmë të pazgjidhshëm të germës ç; e cila herë shkruhet thjesht c, duke e përkeqësuar situatën komunikuese, e herë-herë ch, si një novacion analogjik i përdoruesve më pragmatik të shqipes (kryesisht ata në kontakt me gjuhë anglo-saksone). Ky zëvendësim logjik ose lejim përdorimi formash dysore, veç lehtësimit të rrjedhës shkrimore, do përmirësonte edhe transkriptimin e emrave të huaj, e do zgjidhte njëkohësisht edhe atë të emrave e mbiemrave tanë në rastet kur ato ballafaqohen me grafitë e vendeve të tjera euro-atlantike[2].

E DYTA çështje ka të bëjë me problemin e numrit të germave të alfabetit të shqipes. E këtu nuk bëhet fjalë thjesht për kakografinë e shtjelluar më lart. Në të vërtetë, me përcaktimin e parimit një fonemë një shenjë grafike (apo një tingull një shkronjë – siç u tha atëherë), pati edhe një keqkuptim të dytë: u unifikuan germat me grafemat transkriptuese. Për të qenë më të qartë grafema dh përbëhet nga germat d dhe h, por nuk mund të ekzistojë një germë përfaqësuese dh ashtu si në alfabet të anglishtes nuk ekziston germa ch (e cila shqiptohet ç) me të cilën shkruhet childe. Kësisoj pra dh-ja ekziston si rrjedhë, por jo si njësì më vete. Do të konsiderohej germë nëse do të ishte një germë e mëvetësishme dhe e ndryshme prej cilësdo germë të alfabetit latin[3].

Mjerisht, megjithë arritjen e madhe që Kongresi i Manastirit pati në unifikimin dhe krijimin e një alfabeti të parë (të përbashkët) për gjuhën shqipe, pranuar me kohë nga të gjithë, megjithkëtë pra, asnji nga tubimet, konferencat apo kongreset e mëpastajme nuk e pa të udhës t’ia hynte telasheve dhe ballafaqimeve të garrametshme për dallimin që në fakt ekziston mes germës, grafemës dhe rrjedhave grafike apo tingullore.

E pra sot, ndryshe nga ne, gjuhët neolatine apo gjermanike i kanë bërë mëse të thukëta alfabetet e tyre; për pasojë variantet e ndryshme tingullore realizohen lirshëm në rrjedhën e të folurit përmes ligjësive fonologjike të bashkëveprimeve në zinxhirin akustik. Italishtja ka një sh e një xh në shqiptim (sciagurato apo giovane), por nuk ka një germë më vete për të treguar sh-në, apo xh-në, e poashtu ka edhe sh e ç në gjermanisht por nuk ka germa më vete për to në alfabet. Aglishtja thamë që e ka, sikundër ne, tingullin dh, por nuk ka në alfabet një germë a digramë dh, përfaqësuese për të. Po kjo mund të thuhet për sh në frengjisht apo nj në spanjisht etj. etj. etj. Kombinimi në zinxhirin shkrimor i vetëm 21 germave jep spektrin e variacioneve fonematike të gjuhës italiane. E po ashtu realizojnë më së miri këtë spektër artikulimesh edhe 26 germat e thjeshta të frengjishtes, 26 të anglishtes etj. Dhe po ta mendosh pak më hollë këtë çështje, kupton edhe më tepër; kupton se në gjuhë s’ka thjesht tinguj, por shtrirje tingujsh në rrjedhën e folur. Nuk janë tingujt ata që i hasim pikësëpari; rrokja shfaqet më drejtpërdrejt se tingujt që e përbëjnë. Ndërkohë që grafia e sotme e përzierë, përveçse ndërlikon pa nevojë e pa kriter shkencor alfabetin dhe fjalorët tanë, në instanca të caktuara ligjërimore, pengon një realizim të lirë fonik. Në të folmet shqipe ato vijojnë të ndodhin, porse pikërisht prej lidhjeve të ngurta e pjesërisht të anshme që ka ngulitur në alfabet prania e disa grafemave transkriptive bri germave të thjeshta, këto kombinime të lira të rrjedhës së folur sot nuk mund të përfaqësohen dot përtej cakut të vulgares. Kjo na kujton atë që thotë Saussure: Ta zëmë se një kordë e pianos është çakorduar: sa herë që ta prekim duke ekzekutuar një melodi, do të na dalë një notë e gabuar, po ku? Në vetë melodinë? Sigurisht që jo; nuk është prekur melodia; është dëmtuar vetëm pianoja. Po kështu ndodh edhe në fonetikë.

Tash jemi mëse njëqind vjet pas këtij vendimi të rëndësishëm, kohë kjo mëse e mjaftueshme për të reflektuar mbi mundësinë e përmirësimeve e të modernizimeve. Poashtu vërejmë se gjuhët e mëdha rrotull nesh i kanë thjeshtuar kohë pas kohe alfabetet e veta, gjithë sipas logjikës që kombinimet fonike të përcaktohen nga tingujt, jo nga fotografia e tyre, pra nga shkronjat. E kanë bërë këtë qoftë gjuhë të mëdha si anglishtja, spanjishtja e gjermanishtja, qoftë gjuhë më të vogla, si greqishtja a kroatishtja. Kështu edhe alfabeti ynë, i cili pa drojë zgjodhi Europën njëqind vjet më parë, duhet të vijojë pa drojë të bëjë zgjedhjet që edhe Europa bën sot për alfabete e saj, duke ruajtur kësisoj lidhjet e natyrshme historike të gjuhës shqipe me simotrat e veta. Ky përditësim alfabetik në fakt duhet të kishte ndodhë sinkron me të tjerët, pas luftës së dytë botërore, atëherë kur shtetet rrotull nesh nisën punën për modernizimin e kulturave të tyre dhe përhapjen në popull por me mjete moderne, që domethënë: demokratike. Ndërsa te ne ky zhvillim u step, madje në do fusha që përkonin me çështje të mendimit e të trashëgimisë, ndër të cilat ajo e gjuhës është e tillë par exellence, në këto fusha pra u shënua një atrofizim i përgjithshëm.

Thjeshtimi i alfabetit tonë pa humbur asnjë nga vlerat e tij mbetet kështu një çështje që duhet riparë, pasi prej mëse një shekulli nuk është ndërmarrë asnjë ndërhyrje modernizuese në këtë alfabet, i cili gjithsesi edhe atëherë u krye në kushtet e një emergjence të madhe, asaj të çështjes së rizgjimit kombëtar. Në vazhdë të shpirtit përbashkues europian mbi të cilin u hartua ky alfabet, ai duhet të lehtësohet, duke ndjekur kësisoj rrjedhat e kohës, pa hequr dorë natyrisht nga thelbi i tij. Ky lehtësim e modernizim njëherësh kërkon dy ndërhyrje:

thjeshtimin, pra heqjen nga lista e alfabetit i të gjitha digrameve (apo shkronjat dyshe), për arsyet që përmendëm më sipër;
dhe shqyrtimi i mundësisë që tingulli ç, sot problematik në shumicën e paraqitjeve të shqipes së shkruar, të realizohet në shkrim përmes rrjedhës grafike [ch] – kjo është mëse e mundur edhe për faktin se togu ch nuk korrespondon me asnjë fragment të rrjedhës zanore shqipe, pra nuk ngatërrohet dot.
Pas kësaj ndërhyrjeje thjeshtuese e modernizuese, alfabeti ynë do të paraqitej si më poshtë: a, b, c, d, e, ë, f, g, h, i, j, k, l, m, n, o, p, q, r, s, t, u, v, x, y, z; plot 26 germa përfaqësuese, të lira për t’u kombinuar si ta lypë rrjedha kumtuese sidhe situata ligjërimore.

Si rrjedhojë e lirisë kombinatore që përftohet nga thjeshtimi i alfabetit garantohet jo vetëm ortoepia e gjuhës vehikulare, por edhe paradigma e të folmeve shqipe në përgjithësi, në të cilat bashkimet e germave dhe shndrimet e tyre në tinguj e rrokje duhet të kryhen sipas ligjësive diatopike.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu