Rastet e atakut kardiak kanë njohur rritje gjatë viteve të fundit, duke prekur gjithnjë e më shumë edhe moshat e reja. Ky shqetësim u ngrit edhe në konferencën shkencore “SHKODRA PCI 2.0 – Zona e Imazherisë Intravaskulare”, ku mjekë të njohur shqiptarë e ndërkombëtarë diskutuan mbi sfidat dhe avancimet në trajtimin e sëmundjeve koronare. Mjeku kirurg i kardiologjisë hemodinamike në Vjenë, Aurel Toma, thote se të rinjtë po preken gjithnjë e më shumë nga patologjitë kardiake për shkak se nuk kryejnë kontrolle të rregullta. Ai theksoi se faktorët kryesorë që çojnë në atak kardiak mbeten duhani, ushqimi i pashëndetshëm dhe tensioni i lartë i gjakut, të cilin Toma e përshkroi si një “vrasës të fshehur”.

Nga ana tjetër, Florim Cuculi, shef i kardiologjisë në Luzern të Zvicrës, theksoi se në Shqipëri ende ka mungesa në materialet e nevojshme për ndërhyrjet emergjente në rastet e atakut kardiak. Sipas tij, përmirësimi i logjistikës dhe aksesit në teknologji moderne është thelbësor për të shpëtuar më shumë jetë.

Konferenca SHKODRA PCI 2.0 solli edhe raste klinike të trajtuara live nga Laboratori i Kateterizimit në Spitalin Rajonal të Shkodrës, prezantime nga ekspertë vendas dhe të huaj, si dhe diskutime të gjera mbi përdorimin e imazherisë intravaskulare, menaxhimin e komplikacioneve gjatë PCI-së dhe strategjitë moderne të trajtimit të sëmundjeve multivazale. Në përfundim, mjekët apeluan për kontrolle të rregullta kardiologjike, veçanërisht tek personat me faktorë rreziku, duke theksuar se zbulimi i hershëm mbetet mënyra më e sigurt për të parandaluar pasojat e rënda të atakut kardiak.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu