Policia e Shkodrës ka arrestuar 57-vjeçarin Brandon Saporito, i cili dyshohet se është autor i vrasjes së partneres së tij, Sandra Saporito 54 vjeç. Krimi ndodhi ditën e djeshme në një banesë të marrë me qira në Shkodër.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit në DVP Shkodër arrestuan shtetasin amerikan Brandon Saporito, 57 vjeç, për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, pasi: Më datë 02.05.2025, në lagjen “Vasil Shanto”, në një banesë të marrë me qira, dyshohet se në gjendje të dehur, për motive të dobëta, ka dhunuar e goditur me sende të forta dhe me mjet prerës, bashkëshorten e tij shtetasen Sandra Saporito, 54 vjeçe, e cila si pasojë e dëmtimeve ka humbur jetën në vendin e ngjarjes”, njoftoi policia. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 10:00 të paradites së djeshme. Policia gjeti në banesë 54-vjeçaren e pajetë dhe partnerin e saj, Brandon Saporito, i cili ishte në gjendje të dehur dhe me dëmtime të lehta në duar të shkaktuara me thikë.
Në momentin e daljes nga banesa me pranga në duar ai ishte i mbuluar në gjak. Çifti ndodhej në vendin tonë që nga 27 marsi. Pikërisht në këtë datë ata kanë mbërritur në aeroportin “Nënë Tereza”, ndërsa në foton e publikuar, Sandra shkruante se kishin mbërritur shëndoshë e mirë në Tiranë dhe ndodhen të ulur në ambietet e një bar kafeje në Rinas. Ata kanë zhvilluar vizita në disa zona të Shqipërisë, si në Himarë, në Tiranë dhe së fundmi edhe në Shkodër, ku edhe ndodhi ngjarja e rëndë. Policia sekuestroi pamjet e kamerave të sigurisë të zonës për të parë nëse ka patur edhe prezencë të personave të tjerë më herët në banesën ku ndodhi ngjarja e rëndë.