Ballina Aktualitet AKU Shkodër bllokon 25 ton misër nga Serbia për tejkalim të aflatoksinës,...

AKU Shkodër bllokon 25 ton misër nga Serbia për tejkalim të aflatoksinës, mbyllet edhe një fermë qumështi në Trush

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në Shkodër ka bllokuar një kamion me 25 ton misër që vinte nga Serbia. Ngarkesa është ndaluar në doganën e Hanit të Hotit, teksa po hynte në territorin shqiptar nga Mali i Zi.

Sipas burimeve zyrtare, gjatë kontrolleve laboratorike është konstatuar prania e aflatoksinës B1 në nivele mbi normat e lejuara për Shqipërinë. Edhe pse kjo sasi mund të konsiderohet e pranueshme në vendet e Bashkimit Europian, standardet shqiptare janë më të rrepta dhe nuk e lejojnë hyrjen e këtij produkti në treg.

Sasia e bllokuar, që ishte e destinuar për qytetin e Elbasanit dhe e kategorizuar si misër blegtoral, është ndaluar menjëherë nga AKU Shkodër për të shmangur çdo rrezik potencial për shëndetin e kafshëve dhe konsumatorëve.

Ndërkohë, autoritetet e AKU-së në Shkodër kanë ndërhyrë edhe në një fermë qumështi në fshatin Trush, ku pas inspektimeve janë konstatuar disa parregullsi në procesin e prodhimit dhe ruajtjes së produktit. Si pasojë, subjekti është bllokuar deri në plotësimin e kushteve të nevojshme higjieno-sanitare.

AKU ka theksuar se kontrollet do të vijojnë në të gjithë qarkun me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit publik.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks