Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka intensifikuar kontrollet në qarkun Shkodër, duke zhvilluar një program pune në terren për mbikëqyrjen e procedurave të inspektimit dhe rritjen e standardeve të sigurisë ushqimore.
Në këtë aktivitet morën pjesë Inspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula, dhe Drejtoresha e Përgjithshme e AKU, Blerina Gjylameti, të cilët ndoqën nga afër kontrollet në disa subjekte, me qëllim verifikimin e zbatimit të procedurave standarde, dokumentimit të gjetjeve dhe vlerësimit të riskut, në përputhje me praktikat më të mira dhe orientimin drejt standardeve të Bashkimit Evropian.
Sipas Sulës, AKU synon vendosjen e një standardi të unifikuar inspektimi. “Nuk do të ketë tolerancë për devijime nga procedurat. Çdo kontroll duhet të jetë i dokumentuar dhe i njëjtë për të gjithë. Subjektet që nuk përmbushin kërkesat ligjore do të përballen me masa,” u shpreh ai.
Gjatë inspektimeve në sektorin e përpunimit të qumështit, me fokus te prodhimi i djathit dhe gjalpit, u verifikuan kushtet higjieno-sanitare, gjurmueshmëria e produkteve dhe respektimi i kërkesave ligjore. Ndërkohë, në një stabiliment të pulave, vëmendja u përqendrua te kategorizimi i vezëve, etiketimi dhe kushtet e ruajtjes.
Gjylameti theksoi se harmonizimi me standardet e BE-së është detyrim konkret në terren. “Siguria ushqimore nuk negociohet. Do të kërkojmë përputhshmëri të plotë dhe do të ndërhyjmë me vendimmarrje të fortë në rast shkeljesh,” deklaroi ajo.
Në vijim të programit, drejtuesit e AKU do të zhvillojnë një takim pune edhe me inspektorët në Pikën e Inspektimit Kufitar (PIK) Hani i Hotit, për të ndjekur nga afër procedurat e kontrollit në hyrje-dalje dhe për të rritur eficiencën e kontrolleve në kufi.
AKU riafirmon angazhimin për forcimin e kontrolleve, rritjen e kapaciteteve të inspektorëve dhe garantimin e produkteve të sigurta për konsumatorët.






