Mjeshtria e madhe e humorit Drande Xhaj feston 66 vjetorin e lindjes! Newspower.al i uron edhe 100 vite aktores se spikatur shkodrane.
Profil i Drande Xhaj:
Drande Xhaj, lindi më 13 Qershor 1957. Filloi punën si aktore profesioniste në Teatrin “Migjeni“ në vitin 1978. Gjatë 41 vitesh, Dana , interpretoi në 130 premiera me Estraden e Shkodres. Dana e quan veten me fat që ka interpretuar përkrah mjeshtrave të medhej të humorit shqiptarë, si Tano Banushi, Paulin Preka, Zyliha Miloti, Jolanda Shala, Katerina Biga, Zef Deda, Bisnik Çinari etj. Si për çdo talent të ri edhe për Dranden kjo rrugë nuk ishte e lehtë, por duhet të kujtojmë se ajo u bë pjesë e një shkolle të madhe të artit, siç është Teatri “Migjeni” ky institucion kaq i njohur në të gjithë Shqipërinë. Ajo ka interpretuar në dy filma të Kinostudios ” Shqipëria e Re” , “Thirrja“ dhe “Shokët tanë të mirë“ dhe në disa telekomedi. Dana ka drejtuar dhjetra koncerte të ndryshme, si dhe ka interpretuar në monodramen e Fadil Krajës “Vajza me kukull“. Ndryshimet e mëdha pas viteve ’90 sollën vështirësi edhe për këtë teatër historik, por ishin këta aktorë të mrekullueshëm që i mbijetuan këtij tranzicioni të egër, duke e mbajtur mbi valë edhe varkën e tyre, skenën, si të ishte shtëpia e tyre. Jeta artistike e qytetit të Shkodrës kishte nevojë për ta, dhe ata me vështirësi të mëdha edhe financiare, arritën ta nxjerrin këtë varkë në breg, duke i rikthyer edhe një herë shkëlqimin e dikurshëm, këtij tempulli kaq të shenjtë për shkodranët.
Gama e aktiviteteve në skenën e Teatrit tani ishte më e larmishme, me estradë, me komedi, me koncerte show, me recitale dhe mbrëmje artistike dhe kudo në këto veprimtari Drande Xhaj do të ishte e pranishme si aktore, organizatore, por edhe si konferenciere. Një sukses të jashtëzakonshëm Artistja Drande Xhaj ka korrur edhe në aktivitete artistike në Europë si në: Gjermani, Zvicër, Londër, Itali, Greqi, Suedi, Austri, etj. Veçojmë këtu edhe interpretimin me aktorin e shquar Çun Lajçi ku ka triumfuar fuqishëm me vargjet e Fishtës.
Aktorja shkodrane eshte nderuar me urdhërin “ Naim Frashëri“ nga Presidenti i Republikës dhe me vone me titullin “Mjeshtre e Madhe”. Është “Mirënjohja e qytetit“ në Shkodër, “Qytetare Nderi“ në Malësinë e Madhe dhe Komunën Gruemirë. Është fituese e çmimit “ Aktorja më e mirë “ në Festivalin Kombëtarë të Komedisë Shqipe në Mitrovicë , në vitin 2014, 2015. Dana, edhe pse ne pension, vazhdon të jetë aktive në skenën e teatrit “Migjeni” dhe jo vetëm. Një jetë e tërë në skenë, por gjithmonë e freskët, sa për një moment spektatorët shkodranë harrojnë se ajo ka mbi 4 dekada që performon para tyre, por vazhdojnë ta shohin, ta ndjekin, ta pëlqejnë e ta duartrokasin sikur këto vite nuk ekzistojnë. Mosha bën punën e vet, siç thonë, por tek artisti nuk ndodh kështu. Shpirti i artistit të madh nuk plaket dhe nuk vyshket kurrë.
Edhe 100 vite Dana!