Vetëm gjatë muajit gusht, Administrata Tatimore ka ushtruar kontrolle në 59 subjekte dhe ka bllokuar 17 ton mallra pa faturë. Në një postim në Facebook, Administrata Tatimore bën bilancin për muajin që lamë pas, duke thënë se 10 tregje kanë qenë në monitorim, ndërkohë që kanë vendosur 112 masa administrative. Tatimet u bëjnë thirrje të gjithë bizneseve që të shoqërojnë me faturë tatimore çdo produkt bujqësor e blegtoral. “Administrata Tatimore vijon përpjekjet intensive për formalizimin e tregut dhe rritjen e sigurisë ushqimore! Gjatë muajit gusht 2025, janë zhvilluar kontrolle dhe monitorime të vazhdueshme në tregjet e produkteve bujqësore dhe blegtorale në të gjitha qarqet e vendit, me qëllim garantimin që çdo produkt të shoqërohet me faturë tatimore dhe të sigurohet transparencë për konsumatorin.
AT fton bizneset e përfshira në zinxhirin ushqimor të zbatojnë ligjin duke dokumentuar çdo transaksion me faturë tatimore për të shmangur masat administrative”, njofton Administrata Tatimore. Faza e pare e aksionit u mbyll më 3 gusht dhe në të 12 qarqet e vendit u bllokuan 103 ton produkte bujqësore dhe blegtorale që po shiteshin pa faturë, si qumësht, djathë, mish, domate e fruta të ndryshme. Aksioni i tatimeve nisi më 14 korrik, pas një fushate 1 javore sensibilizimi ku ju bë thirrje subjekteve që të lëshonin fatura për çdo produkt bujqësor dhe blegtoral që tregtonin. Sipas administratës tatimore shoqërimi me faturë i produkteve përveçse është detyrim ligjor bën, siguron edhe gjurmueshmëri nga prodhuesi tek konsumatori, çka rrit edhe sigurinë ushqimore.