Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme, ku automjeti me drejtuese shtetasen S. S., 24 vjeçe, ka përplasur këmbësorin, shtetasin R. C., 81 vjeç, i cili si pasojë ka humbur jetën, informojmë se:

Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë 24-vjeçaren, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen.

Gjithashtu, specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin M. K., 33 vjeç, banues në Shkodër, pasi u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër referuan materialet në Prokurori, për njoftim fakti, pasi dje, shtetasja E. B., 50 vjeçe, banuese në Shkodër, ka bërë kallëzim se shtetasi E. G., 28 vjeç, e ofendon në mënyrë të përsëritur.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin N. K., 57 vjeç, banues në Shkodër, për veprën penale “Shpërdorimi i tokës”, pasi është konstatuar duke hedhur mbetje inertesh pa marrë leje tek organet kompetente.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vau i Dejës referuan materialet në Prokurori, për njoftim fakti, pasi dje në Spitalin Rajonal Shkodër është paraqitur shtetasi A. S., 22 vjeç, i cili është goditur nga rryma elektrike, gjatë vendosjes së një banderole, në një ndërtesë. 22-vjeçari ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu