Dy të vdekur e tre te plagosur nga aksidenti i një natë më parë, ndërron jetë çifti i bashkëshortëve
Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur mbrëmjen e të mërkurës rreth orës 22:00, në aksin Shkodër–Lezhë, pranë fshatit Dajç, ku janë përfshirë një automjet tip fuoristradë dhe një mjet trajler.
Si pasojë e përplasjes fatale, kanë humbur jetën bashkëshortët Refije Ç, rreth 56 vjeçe, dhe Luan Ç, rreth 60 vjeç.
Ngjarja tragjike ka lënë të plagosur rëndë edhe vajzën e tyre, shtetasen Alketa Ç, si dhe fëmijën e saj 3-vjeçar.
Të dy janë dërguar në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore.
Po ashtu, në gjendje kritike për jetën ndodhet edhe drejtuesi i automjetit, shtetasi Klevis S, i cili është transportuar me urgjencë për trajtim të specializuar mjekësor.
Drejtuesi i trajlerit është identifikuar si Seid Islamoviç, lindur më 23 dhjetor 2005, banues në Novi Pazar në Serbi.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili po punon për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.