Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor kanë referuar materialet për një aksident që ka ndodhur më 23 shkurt 2025, në segmentin rrugor “Pukë-Mjedë”, ku shtetasi A. P., 24 vjeç, banues në fshatin Spaç, ka humbur kontrollin e automjetit dhe ka dalë nga rruga. Pas përplasjes me një shkëmb, 24-vjeçari ka pësuar dëmtime të lehta. Ai është proceduar në gjendje të lirë nga policia, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Ndërkohë, në Shkodër, specialistët për Hetimin e Krimeve kanë filluar procedimin penal ndaj shtetasit A. M., 51 vjeç, i cili dyshohet për ushtrim dhune ndaj bashkëshortes së tij. Policia ka referuar materialet në Prokurori, ku është nisur procedimi në gjendje të lirë.
Një tjetër ngjarje ka ndodhur në fshatin Gomsiqe, në Vau i Dejës, ku shtetasi N. P., 51 vjeç, ka goditur një 76-vjeçar për motive të dobëta. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vau i Dejës kanë nisur procedimin në gjendje të lirë, duke referuar materialet në Prokurori.
Gjithashtu, më 23 shkurt, shtetasja E. T., 41 vjeçe, ka kallëzuar se bashkëshorti i saj, shtetasi B. T., 41 vjeç, është larguar nga banesa. Policia po punon për gjetjen e tij dhe materialet janë kaluar për hetim në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Shkodrës.
Punohet për zbardhjen e plotë të ngjarjeve dhe marrjen e masave ligjore të nevojshme.