Ballina Aktualitet Aksi Shirokë-Zogaj parashikohet të përfundojë në maj, zv/ministrja Koçiu: Lehtësojmë shërbimin, pikë...

Aksi Shirokë-Zogaj parashikohet të përfundojë në maj, zv/ministrja Koçiu: Lehtësojmë shërbimin, pikë kufitare e përbashkët me Malin e Zi

Screenshot

Rruga Shirokë-Zogaj është pranë përfundimit dhe synimi është që deri në mes të majit të jetë gati për sezonin turistik.

Zv/ministrja Albana Koçiu, e cila inspektoi punimet, tha se ky segment do të jetë në dobi të qytetarëve e turizmit, ndërsa do të ngrihet një pikë kufitare “one stop”, e cila do të jetë e përbashkët me Malin e Zi për të marrë shërbimet policore e doganore.

“Është një segment rrugor që do të lehtësojë shumë lëvizjen e qytetërëve dhe mallrave. Oferta turistike bëhet më e dobishme në funksion të sezonit turistik. Jemi duke punuar me Malin e Zi duke vendosur një pikë kufitare ku shërbimet merren në të njëjtën pikë duke mundësuar që shërbimet policore e doganore të jenë në të njëjtën pikë kufitare”, tha Koçiu duke theksuar se kjo do të kursejë kohë.

Drejtori i Policisë, Skënder Hita, tha se për këtë qëllim do të ngrihet grupi i ekspertëve.

“Do të ngrihet grupi i ekspertëve për lidhjen e pikës kufitare mes Malit të Zi dhe Shqipërisë. Shërbimet e rendit dhe qarkullimit rrugor do të jenë të përfshira në këtë aks për të ofruar siguri dhe rend publik”, u shpreh Hita.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, i cili para pak ditësh njoftoi edhe paketën ‘Porta e Alpeve’, tha se këto investime në qarkun e Shkodrës do të jetë mjaft e frytshme.

“Nuk flasim vetëm për një aks rrugor, por një pjesë lidhëse shumë e rëndësishme turistike mes Shirokës e Zogajt. Ky është vetëm fillimi për qarkun e Shkodrës. Kemi investime infrastrukturore në Velipojë, në hyrje të qytetit të Shkodrës, rijetëzim të Bunës duke krijuar një pjesë më të aksesueshme për turistët dhe duke përfshirë investimet deri në Malësi të Madhe. Kjo paketë investimesh do të japë frytet në zhvillimin turistik të këtij qarku”, tha Karakaçi.

Kjo zonë tërheq rreth 500 mijë turistë, të cilët kalojnë mesatarisht 2 net në strukturat akomoduese.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks