Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) shpall me krenari një arritje historike. Më 4 gusht 2025, aeroporti regjistroi ditën më të ngarkuar ndonjëherë, duke përpunuar 50,892 pasagjerë dhe duke menaxhuar 298 lëvizje avionësh.
Kjo shifër tejkalon rekordin e mëparshëm të vendosur më 16 gusht 2024, kur TIA kishte pritur 44,885 pasagjerë dhe kishte operuar 251 fluturime, duke shënuar një rritje të ndjeshme si në numrin e udhëtarëve, ashtu edhe në lëvizjet ajrore, krahasuar me një vit më parë.
Korrik 2025 – Rritje e qëndrueshme për 43 muaj radhazi
Performanca e TIA-s është rezultat i një tendence të qëndrueshme rritjeje gjatë katër viteve të fundit. Pas gati 3 milionë pasagjerësh në vitin 2021, aeroporti pothuajse e dyfishoi trafikun në vitin 2022, duke arritur në mbi 5 milionë udhëtarë. Rritja vazhdoi në vitin 2023 me mbi 7 milionë pasagjerë, dhe u përshpejtua ndjeshëm në vitin 2024, kur për herë të parë TIA kaloi 10 milionë pasagjerë, duke vendosur një rekord të ri ndërkombëtar.
Muaji korrik 2025 shënoi një tjetër arritje, me 1,286,707 pasagjerë që udhëtuan nga dhe drejt destinacioneve ndërkombëtare përmes TIA-s, një rritje prej 9% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2024. Edhe numri i fluturimeve u rrit me 5% krahasuar me korrikun e vitit të kaluar.
Destinacionet më të preferuara mbeten Milano, Londra, Bolonja, Treviso dhe Vjena.
Në 7 muajt e parë të vitit 2025, numri total i pasagjerëve që kaluan nëpër TIA arriti në 6.4 milionë, duke shënuar një rritje prej 8% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Zgjerimi i rrjeteve ajrore në vitin 2025
Ky ritëm i lartë rritjeje është mbështetur nga zgjerimi i linjave ajrore dhe hapja e destinacioneve të reja. Gjatë vitit 2025, TIA ka shtuar një sërë destinacionesh kyçe në Evropë, përfshirë Lisbonën, Nantes, Bordeaux, Talinin, Vilniusin dhe Tel Avivin, ndërsa pas verës pritet të fillojnë edhe linjat e reja drejt Malagas, Larnakës dhe Valletës.
Dixhitalizimi – Për një të ardhme më të mirë
Me qëllim përmirësimin e përvojës së udhëtarëve, TIA po investon në infrastrukturë dhe zgjidhje dixhitale moderne, duke përfshirë:
* Porta elektronike kufitare për përpunim më të shpejtë të kontrolleve të pasaportave
* Skanerë të avancuar të sigurisë, që shkurtojnë kohën e kontrollit dhe përmirësojnë efikasitetin
* Zgjerim i hapësirave të parkimit (tashmë me 1,900 vende) me një strukturë të re shumëkatëshe tërësisht funksionale
* Bordimi me karta dixhitale, që u mundëson pasagjerëve të shmangin radhët për check-in në sportele
TIA shpreh falënderimet e saj më të sinqerta për të gjithë pasagjerët, linjat ajrore dhe stafin e përkushtuar, që e kanë bërë të mundur këtë arritje historike.
Rreth Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës “Nënë Tereza” është porta kryesore ajrore e Shqipërisë, që lidh vendin me mbi 90 destinacione në Evropë dhe më gjerë. Përmes investimeve të vazhdueshme dhe inovacionit, TIA po udhëheq zhvillimin e udhëtimeve ajrore në Shqipëri dhe po pozicionohet si një ndër aeroportet me rritjen më të shpejtë në rajon.