Në vitin 2024, Ministria e Bujqësisë riktheu mbështetjen financiare për fermerët e bimëve aromatike e medicinale, duke subvencionuar jo vetëm naftën, por edhe sipërfaqet e kultivuara. Thirrjes iu përgjigjën gjithsej 954 aplikime. Mirëpo dokumentet e siguruara nga newspower.al tregojnë se edhe kjo skemë është shoqëruar me abuzime të rëndësishme nga AZHBR dhe Njësitë Administrative të Shkodrës.
Sipas listës zyrtare të fituesve, 846 fermerë nga Malësia e Madhe janë shpallur përfitues, duke marrë 190.353.000 lekë nga fondet publike për një sipërfaqe të deklaruar prej 6,345.1 hektarësh. Megjithatë, verifikimet tregojnë se këto shifra nuk përputhen me realitetin në terren: për të njëjtën parcelë tokë kanë përfituar më shumë se dy fermerë. AZHBR dhe Njësitë Administrative dyshohet se kanë rritur artificialisht numrin e fermerëve dhe sipërfaqen e tokës përmes falsifikimit të dokumenteve të AMTP-së.
Ky skandal, që kap vlerën e rreth 2 milion eurove, aktualisht po hetohet nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe auditues të Ministrisë së Bujqësisë.
Historia u përsërit edhe në vitin 2025. Kësaj here, numri i aplikimeve u rrit në 1.290, ndërsa AZHBR kërkoi të shpërndante fonde për 11.430.1 hektarë me sherbelë dhe livandër—gati dyfishimi i sipërfaqeve të deklaruara një vit më parë. Tentativa u ndal vetëm pasi drejtoresha e AZHBR-së, Ardita Kuçi, u informua se abuzimet e vitit 2024 ishin zbuluar.
Në një shkresë zyrtare drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të ministrisë, Dritan Palnikaj, drejtoresha Kuçi konfirmon se nga 1.290 aplikime të vitit 2025, vetëm 470 janë konsideruar të rregullta. Edhe më tej, pagesat janë ekzekutuar vetëm për 196 fermerë, për një sipërfaqe totale 1,203.04 hektarë.
Ky numër shumë më i ulët përfituesish tregon përmasat e manipulimit të vitit 2024, ku fondet publike u shpërndanë për toka të mbjella vetëm në dokumente, por jo në terren.
Sipas skemës kombëtare, çdo fermer duhet të përfitonte 30 mijë lekë për hektar për sipërfaqet 1–10 ha, ndërsa për sipërfaqet mbi 10 ha subvencioni përgjysmohej. Por verifikimet e vitit të shkuar treguan se paratë për Malësinë e Madhe u dhanë për sipërfaqe të deklaruara fiktive, duke e shndërruar skemën në një mekanizëm abuzimi dhe shpërdorimi të fondeve publike.






