A JANË RROGAT PROBLEMI REAL?
Nuk di të them nëse është gjëja e duhur që dita e parë e Universitetit të nisë me një grevë. Personalisht më duket shumë e trishtë kjo gjë. Humbëm dy vjet në pandemi e pasojat e asaj gjëje për universitarët dhe Universitetin qenë të prekshme e do të thoja të tmerrshme.
Universiteti është gjë serioze, shumë serioze, e duhet të trajtohet si e tillë …
A qëndron realisht problemi i Universitetit tek rrogat e docentëve? Ai është një problem i docentëve, e ndoshta kanë të drejtë, por a do të garantonte kjo rritje e mëtuar e pagës:
- rritjen e cilësisë së universitetit;
- rritjen e cilësisë së kërkimit shkencor;
- rritjen e cilësisë së mësimdhënies;
- mosbërjen e kurseve (pothuaj të detyruara – tjetër emër i fjalës korrupsion) nga ana e studentëve jashtë kurrikulës;
- rritjen e vendrenditjes në rankimin e Universiteteve, së paku atyre evropiane;
A do të ndikonte kjo rritje realisht në kthimin e Universitetit në një tempull dije, ku farkëtohen e rrihen ide e debate që çojnë dijen dhe shoqërinë përpara?
Personalisht, si njeri që e njeh universitetin, mendoj se ky u fundit ka probleme shumë më të thella në Shqipëri, duke thënë vetëm faktin që për shumë vite nuk kemi doktoratura e po ashtu cilësia e atyre që mbarojnë universitetin lë shumë për të dëshiruar …
Uroj sa më shpejt që auditoret të mbushen e të fillojë mësimi në çdo Universitet.
Nga dom Gjergj Meta