Një i ri nga Adiyaman, i cili u bllokua nën rrënojat e tërmetit 7.7 ballë me qendër në Kahramanmaraş të Turqisë, ka realizuar një video mes banesës së shembur.
Banesa e shembur e 17 vjeçarit Taha Erdem, u mori jetën 47 personave.
Ai u zgjua gjatë tërmetit dhe i ra të fikët pasi u përplas me derën në përpjekje për t’u arratisur dhe për t’i shpëtuar tërmetit.
Pasi u zgjua nga britmat e njerëzve në ndërtesë, 17 vjeçari kuptoi se ishte nën rrënoja dhe kishte ngecur duke mos lëvizur dot. Nxënës i klasës së 11-të, ai xhiroi një video të quajtur ‘videoja ime e fundit’ pasi mendonte se nuk do mund ta shpëtonte.
“Do të vdes, tavani është sipër meje tani. Ka gjëra për të cilat pendohem shumë; Allah m’i fal të gjitha mëkatet”, thotë ai në video ndërsa tregon se ka dridhje të vazhdueshme.
Erdem u nxor nga rrënojat me ndihmën e të afërmve të tij 2 orë pas tërmetit. Nga rrënojat u shpëtuan edhe prindërit e tij, të cilët mbetën të plagosur lehtë.
“Kur ndodhi tërmeti, godita kokën rrugës për te dera, u rrëzova. Kur hapa sytë, e ndjeva veten në një arkivol. E kisha tavanin në shpinë. Këmbët e mia ishin varrosur nën rrënoja”, tregon ai.
“Kur u zgjova për herë të parë, mendova se ishte një ëndërr. Më pas, ndërsa po përpiqesha të shpëtoja veten, pashë që isha në rrënoja. Unë kisha telefonin tim. Bëra një video të shkurtër. Gjatë xhirimeve të videos pati tërmete të vazhdueshme. Pasgoditjet ishin shumë të rënda. Zërat vinin nga kati i poshtëm. Kam dëgjuar britmat e fqinjëve tanë”, shtoi ai.