Investimet publike në Shkodër

Mora shkas për të përgatitur këtë shënim rreth investimeve publike në bashkinë Shkodër nga një publikim i koleges deputete, znj. Emilia Koliqi, e cila bënte një analizë të investimeve të premtuara (e të munguara) në bashkinë e Shkodrës.

E lexova publikimin me interes, pasi kam shumë respekt për kontributin profesional dhe aktivitetin parlamentar të Zonjës Koliqi dhe jo rrallëherë, pavarësisht se në parti të ndryshme, e kemi gjetur veten në komisionet parlamentare në të njëjtën “llogore”, atë të mbrojtjes së interesave të Shkodrës. Desha të qartësoj që në fillim që nuk po e bëj këtë shkrim si një polemikë me të. Përkundrazi, ndaj realisht shumë nga shqetësimet e saj për mungesën e vëmendjes sa duhet për investimet publike të Qeverisë Qendrore, por edhe të investimeve publike vendore dhe investimeve private në Shkodër.

Ndihem i detyruar të bëj edhe unë analizën time në lidhje me këto projekte duke qenë se një pjesë e mirë e tyre janë projekte për të cilat kam punuar drejtpërdrejt apo jam përpjekur të siguroj mbështetje që të investohen në Shkodër.

Mendoj se të gjitha projektet e përmendura janë projekte plotësisht të merituara e të domosdoshme për qytetarët e bashkisë Shkodër në qytet apo Njësitë Administrative rurale ku jetojnë. Janë projekte që kanë një ndikim të lartë në ekonominë, turizmin, jetën shoqërore, nxitjen e bizneseve të reja, hapjen e vendeve të punës dhe konsolidimin e bizneseve ekzistuese. Secili prej tyre do të jetë një arsye për te frenuar emigrimin e për të ndihmuar të rinjtë në vendimin jo të lehtë për ta ndërtuar jetën këtu.

Nga përvoja e gjatë profesionale në këtë fushë di edhe se projektet zhvillimore, që të bëhen siç duhet, kanë nevojë për kohën e vet të procedurave  publike të prokurimit, projektimit, shpronësimit për interes publik dhe zbatimit. Në një pjesë të madhe këto janë projekte me financim të huaj, ku kontrolli nga donatorët për cilësinë dhe korrektësinë e çdo faze të procesit e bën më të zgjatur në kohë procesin, por në çdo rast më të sigurt.

Unë mendoj po si Zonja Koliqi, që Qeveria mund dhe duhej të kishte bërë më tepër për Qarkun dhe Bashkinë e Shkodrës, mendoj se ministri apo agjenci të veçanta duhej të kishin qenë më të vëmendshme dhe më efektive në programimin e zbatimin e këtyre projekteve, çka ka sjellë në disa raste vonesa të konsiderueshme.  Sidoqoftë aty ku ndahem me të është perceptimi për diskriminimin e Shkodrës për arsye të bindjeve politike. Unë nuk e besoj këtë. Më duket se ky justifikim është përdorur për një kohë mjaft të gjatë për të krijuar edhe një status quo, ku me justifikimin e mungesës së vëmendjes së Qeverisë po përpiqemi të mbulojmë edhe problematikat jo të vogla në ofrimin ë shërbimeve publike dhe investimeve që nuk kanë asnjë lidhje me Qeverinë Qendrore, por ofrohen në nivel vendor. Unë mendoj se në mënyre të padrejtë Shkodra po vuan një kosto të kotë e të tepërt të një polarizimi politik shumëvjeçar, ku qeverisja vendore është kthyer në një “kala” të vetizoluar, ku çdo ndërhyrje e qeverisë qëndrore pritet me skepticizëm, mungesë bashkëpunimi dhe komente e diskutime të pafrytshme si një farë xhelozie që kur ndërhyn Qeveria në Shkodër na prish fabulën e urrejtjes apo të diskriminimit të Shkodrës. 

Në fund të mos harrojmë që edhe projektet që po kritikohen këtu janë në një masë të madhe një funksion i drejtpërdrejt i bashkisë Shkodër. Bashkia duhet të udhëheqë me një vizion të qartë dhe nëse nuk ka para mjaftueshëm për financimin mund të kishte të pakën projekte të plota e të detajuara për zgjidhjen e këtyre çështjeve çka mendoj se nuk ka qenë rasti në një pjesë të mirë të projekteve të cilat përmenden.

Edhe para këtij shkrimi, ka qenë qëllimi im që të merrem me secilin nga projektet për të paraqitur me detaje çfarë është bërë e çfarë ka mbetur pa u bërë për secilin prej tyre. 

Po e filloj sot nga Bypassi perëndimor dhe hyrja e Shkodrës.

Bypassi perëndimor ka përfunduar, është i hapur për qarkullimin e mjeteve dhe e kryen shumë mirë funksionin e vet. Dëmtimet janë shkaktuar nga shoferë të papërgjegjshëm që ecin me shpejtësi tej normave të lejuara dhe sigurisht do të rregullohen, siç do të përfundojë edhe ndriçimi. Gjithsesi për këtë bypass më bëri përshtypje veçanërisht fjalia , të cilën e kam dëgjuar edhe herë tjetër, se bypassi apo rreth rrotullimi në hyrje të tij “… Nuk ka zgjidhje për këmbësorët që duan të kalojnë në shëtitoren e molos…”.

Në fakt nuk ka zgjidhje për asnjë nga  qytetarët e Shkodrës që duan të vizitojnë shëtitoren e molos, në këmbë, biçikletë apo makinë. Nëse je këmbësor, rruga nga qendra e qytetit drejt shëtitores së molos nuk është as e sigurt, as e bukur, as e këndshme. Duhet të kalosh disa kryqëzime të tjera tërësisht të parregulluara, brenda karburanteve , nëpër thasë specash e nëpër pjesë të ngushta trotuaresh para se të arrish te kryqëzimi i bypass-it.

Nëse do të shkosh me biçikletë, siç është zgjedhja më e arsyeshme të shkosh nga qendra e qytetit, nuk ke asnjë metër korsi biçiklete të mbrojtur gjatë gjithë rrugës dhe herë pas here rruga është e rrezikshme për shkak të përzierjes në trafikun e makinave , sidomos për fëmijë e të moshuar.

Nëse do të shkosh me autobus, ai që shkon për Bahçallëk zvarritet shumë ngadalë dhe ai që shkon për në Shirokë e Zogaj niset njëherë në sa orë. Nëse do të shkosh me makinë nuk ke asnjëfarë parkimi të sistemuar.

Vetë shëtitorja e molos sot nuk është në ditët më të mira, për ta thënë butë. Në vend që të ishte një ndër zonat më të bukura në Shqipëri ku njerëzit të shijonin një pamje të mrekullueshme të sipërfaqes ujore të Shkodrës dhe një vend që të ishte i mbushur plot me biçikleta e patina, turistë që shohin pamjet dhe njohin historinë e Shkodrës  dhe pse jo plot me mjete lundruese, si në çdo qytet tjetër evropian që ka fatin të ketë këto pasuri ujore në qytet, njerëzit sot shikojnë ujrat e zeza që derdhen në Bunë, rrënoja ndërtimesh  pa leje, kuaj që kullosin dhe njerëz që zhvillojnë lloj- lloj aktiviteti në kurriz të të vetmit park rekreativ në Shkodër.

Veç të tjerash shohin edhe një grumbull zhavorri, kujtim i atij projektit të vjetër që zvarritet që nga 2011. Një projekt tërësisht i gabuar i cili nuk e zgjidhte problemin për të cilin ky bypass po ndërtohej, por përkundrazi krijonte një rrugë të trafikut të lartë edhe aty ku është shëtitorja e molos sot.

Probleme, të cilat me shumë mund po duam t’i integrojmë në zgjidhje urbane më komplekse dhe afatgjata për të krijuar hapësirën e duhur çlodhëse, argëtuese dhe pse jo estetike në një prej zonave më të bukura të Shqipërisë.

Projekti teknik për gjithë ketë park që do të jetë tani një sipërfaqe gjigande prej më shumë se 20 hektarësh, nuk do të jetë më një projekt i pjesshëm, por një pol i ri urban për Shkodrën e turizmin, ku të gjithë ne do të kemi mundësi që me krenari të tregojmë pasuritë tona natyrore, kulturore dhe historike.

Që në dhjetor e kemi projektin e përfunduar e të detajuar teknik për zonën, projekt të cilin e ka paguar 100 % Qeveria Shqiptare dhe është bërë me një skuadër shumë të kompletuar, me arkitektë dhe inxhinierë të huaj dhe dhe vendas, duke i dhënë një zgjidhje të plotë integrimit të malit të zhavorrit të bypassit në një shëtitore shumë të bukur, por edhe një hapësire të tërë rekreative e sportive në të mirë të rinisë së qytetit, duke dhënë një zgjidhje elegante edhe për çështjen e ngritjes së nivelit të liqenit gjatë dimrit. Shumë shpejt do të fillojnë punimet nga sheshi dhe moli i varkave pranë Urës së Bunës, si një hap i parë i këtij projekti transformues për Shkodrën.

Le të jemi të drejtë, t’i shohim të gjitha problemet drejtpërdrejt në sy aty ku janë, edhe të bashkisë sonë, edhe të institucioneve të qeverisë. Le të bëhemi të gjithë bashkë si përfaqësues të zgjedhur të Shkodrës për t’i zgjidhur ato. Nuk është më koha për t’u ndarë, është koha për të vrapuar të gjithë bashkë për të kapur ritmin e qyteteve të tjera që dikur na shihnin me zili.

#shkodrapozitive

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu