Opozita ka lajmëruar protestën e radhës pasditen e sotme.

Ashtu siç u paralajmërua në protestën e 11 shkurtit, qytetarët janë thirrur nga kreu i PD-së Sali Berisha për të protestuar para parlamentit, ndërsa brenda tij do të mblidhet Kuvendi në seancë plenare që është parashikuar të nisë në orën 17:00.

E gjithë energjia e opozitës do të përqëndrohet tek Çështja “McGonigal” ku ajo do t’i kërkojë edhe sot llogari kryeministrit Edi Rama për lidhjen e tij me ish-zyrtarin e lartë të FBI-së tashmë të arrestuar, Charles McGonigal dhe pagesat e pretenduara të Ramës për të dëmtuar opozitën shqiptare.

Një ditë më parë Berisha tha se parlamenti do të ketë protestat më të fuqishme popullore rreth tij dhe se opozita është e vendosur të mbrojë votën e lirë.

Ndërsa sot pritet që seanca e sotme të shoqërohet nga tensione të forta, pasi kjo është dhe e para seancë pas përjashtimit të 8 deputetëve të grupit parlamentar demokrat nga punimet parlamentare nga ana e mazhorancës në Kuvend.

Ndërsa vetë kreu i Qeverisë për tre javë e ka shmangur këtë diskutim para deputetëve, cc’ka ka bërë që seancat e fundit të shoqëroheshin me akuza të forta, dhe bllokim të foltores së Kuvendit nga ana e ligjvënësve opozitarë.

Çështja “McGonigal” ishte çështja e fundit që ngriti opozitën në këmbë, teksa Berisha ka paralajmëruar një revolucion demokratik që mund të shkojë deri në mosbindje civile, që do të përfundojë me fitore.

Por siç u shprehën në protestën e së shtunës, gjendja ekonomike, rritja e çmimeve, largimi i të rinjve, korrupsioni etj., janë disa nga arsyet e protestës së sotme.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu