Gjuhë shtetërore e unifikuar në katër shtete ku ka shqiptarë.

Është ky synimi i një peticioni të nisur prej muajit dhjetor nga disa studiues të cilët më herët këtë kërkesë ua kanë drejtuar zyrtarisht edhe institucioneve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut dhe në Malin e Zi.

“Po kërkojmë që kjo gjithë shtetërore të unifikohet në mbarë arealin ku Shqipja është gjuhë e përbashkët.”

Shkrimtari Primo Shllaku, një prej nismëtarëve, thotë se gjuha e përbashkët do u shërbente të gjithëve atyre që flasin shqip por nuk përdorin të njëjtat fjalë.

Nevojën për unifikim e shpjegon përmes një shembulli.

“Në Prishtinë kërkova një bankë dhe shoh aty të shkruar deponime, por në shqip do të thotë kallëzoj, ndërsa në Kosovë do të thotë me depozituar lekë në bankë.”

Për të arritur në një gjuhë të përbashkët thotë se duhet të ngrihen komisione ndërshtetërore.

Një tjetër hap që studiuesit duan të ndërmarrin është ajo që Shllaku e cilëson si rilançimi i gjuhës shqipe ku gegërishtja të mos diskriminohet më.

“Unë jam nipi i Gjon Shllakut, dhe kur ka përkthyer Iliadën më ka thënë se Shqipja është aq e bukur, sa Homeri tingëllon si teneqe.”

Mbi të gjitha shqetësimet e ngritura studiuesit janë pritur nga përfaqësues të Kryeministrisë së Shqipërisë, por kritika të ashpra kanë ndaj drejtuesit të Akademisë së Shkencave që thonë se ka frikë të prekë standardet.

“Akademitë tona vegjetojnë dhe flenë, e nuk po merren me kurrgjë. Nuk duan të prekin standardin.”

Peticioni i studiuesve shqiptarë për një gjuhë të përbashkët është firmosur nga mbi 1 mijë e 100 persona.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu