Kontrolli në banesën e sanitares Rozeta Dobi ka zbuluar thuajse një thesar të fshehur duke zgjeruar dyshimet për vjedhje të tjera të pazbardhura.
Nuk janë vetëm mbi 500 mijë euro shumat e zbuluara prej prokurorisë, por janë edhe rreth 110 bizhu të ndryshme, si dhe çanta e portofolë të markës Valentino.
Po ashtu ndër mjetet e sekuestruara tashmë janë edhe 3 makina Mercedes Benz.
Nga dosja hetimore vërehet se mes sendeve te vjedhura janë të paktën 10 byzylykë floriri me ngjyrë dhe përmasa të ndryshme.
Madje nuk mungojnë as bizhuteritë e personalizuara me mbishkrime e dedikime të ndryshme.
Gjithashtu zbulimi vijon me 64 vathë të vendosura edhe në kuti Swarovski apo dhe Penelope.
Ndër 19 varëset e kapura veçohet një prej tyre, që duket ka qenë dhuratë mes motrash.
“Sister are connect heart to heart”, motrat janë të lidhura zemër me zemër, thuhet në shkrimin e vendosur në një prej sendeve të vjedhura.
Por lista vazhdon dhe me 4 zinxhirë që duken floriri, dhe po ashtu 3 unaza të shtrenjta.
Jashtë vëmendjes së sanitares nuk kanë qenë as karficat apo kapëset e flokëve.
Por nuk kanë munguar as markat e orëve. Në banesën e dy të arrestuarve janë zbuluar dhe dy ora dore një prej tyre Maserati si dhe një çantë e një portofol Valentino.
Mësohet se lista nuk i përket objekteve dhe sendeve të zyrtares së shtetit Alda Klosi, por dyshohet se janë marrë nga banesa të tjera ku nënë e bir kanë punuar më herët.
Kështu vetëm pak orë pasi u bë publik rasti, në polici janë paraqitur edhe tre kallëzime të tjera ndaj saj.
Në denoncime është treguar se disa kohë më parë disa para por edhe bizhu janë zhdukur nga shtëpitë e tyre dhe të gjitha dyshimet i kishte tek Rozeta Dobi, të cilën e kanë punësuar si pastruese.
Në banesë u gjetën dhe sekuestruan
-10 byzylykë
-4 zinxhirë
-64 vathë
-19 varëse
-6 karfica
-3 unaza
-kapëse flokësh
-2 ora, një prej tyre Maserati
-një çantë e një portofol Valentino
-3 makina Benz Mercedes






