Një mjek i Bankës së Gjakut në Spitalin e Durrësit është proceduar penalisht pasi dyshohet se në këmbim të 5000 lekëve i ka bërë transfuzion gjaku një pacienteje.
“Në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale, në të cilën shfaqet një mjek i Bankës së Gjakut në spitalin e Durrësit, i cili kundrejt pagesës 5000 lekë të rinj, ndihmon një paciente për të marrë shërbimin e transfuzionit të gjakut të dhuruar nga qytetarë të ndryshëm, ju bëjmë me dije se:
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Durrës, pas transmetimit të pamjeve, referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit I. Q., 50 vjeç, banues në lagjen nr. 1, Durrës, me detyrë Teknik gjaku, në spitalin rajonal të Durrësit, për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, dhe A. S., 45 vjeçe, banues në lagjen nr. 17, Durrës, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”,” njoftoi policia.






