Nga Prof. Ervis Krymi
Rreziqet natyrore apo përmbytjet urbane, siç ndodhi rasti i fundit në qytetin e Shkodrës e rrethina, nuk janë diçka e re për qytetet shqiptare.
Këtë fakt negativ në territor e rëndojnë më tej faktorët shtesë të rrezikut që lidhen me urbanizimin kaotik gjatë tranzicionit shqiptar, injorimin e masave konkrete në mirëmbajtjen e sistemeve të kanalizimit.
Marrja e masave, kundrejt çdo lloj rreziku natyror, duhet të jetë pjesë e kontrollit peridiok mbi territor.
Pas stuhisë së mbrëmshme, me reshje të dendura shiu që përfshiu një pjesë të qytetit të Shkodrës dhe disa njësi administrative të bashkisë, edhe njëherë u pa, rëndësia që i duhet kushtuar studimit dhe marrjes së masave konkrete ndaj rreziqeve natyrore.
Shqipëria klasifikohet në zonën e kuqe për rrezikshmërinë që ka nga fatkeqësitë natyrore sipas indeksit të Bankës Botërore, e sidomos Shkodra është nga Rajonet më të ekspozuara ndaj tyre.
Rreziqet natyrore nuk janë diçka e re për qytetet dhe rajonet shqiptare. Rasti i përmbytjeve me kohë përsëritje, që nga ajo e 2010, 2011, 2018 e deri tek ajo e janar-shkurt 2021 tregojnë se territori dhe njerëzit janë nën rrezik të vazhdueshëm.
Ndryshimet klimatike mund t’i shpeshtojnë dhe rëndojnë fatkeqësi të tilla të motit. Shqipëria zotëron pak instrumenta financimi ndaj rreziqeve natyrore dhe hendeku i mbrojtjes përmes sigurimeve ndaj këtyre fenomenve të natyrës është i madh.
Në përballimin e dëmeve prej fatkeqësive natyrore, vendi mbështetet kryesisht në rialokime të fondeve publike, huamarrje apo ndihmës së donatorëve.
Marrja e masave konkrete, kundrejt çdo lloj rreziku natyror, duhet të jetë pjesë e studimeve dhe strategjive kombëtare/lokale dhe sidomos kontrollit peridiok mbi territor.