Ballina Analiza dhe Komente PD e ka betejë “egzistence” 14 Majin, Shkodra një provë e fortë

PD e ka betejë “egzistence” 14 Majin, Shkodra një provë e fortë

Për herë të parë demokratët rrezikojnë që nga lojërat dhe përplasjet e brendshme, të gjenden në vështirësi serioze për zgjedhjet vendore të 14 Majit, ç’ka mund t’u kushtojë drejtimin e Bashkisë Shkodër. Bashkimi që aq shumë shpresohej nuk u arrit dhe tashmë partia më e madhe opozitare është e ndarë në dy kampe. Përballë socialistëve ajo pritet të dalë në zgjedhje me 2 kandidatura, njëra palë që mban firmën dhe mbështetjen e Sali Berishës dhe PL, e krahu tjetër të Alibeaj and Co. Një rrugë aspak e lehtë përpara, kur rezultatet e zgjedhjeve të 6 Marsit sa i përket Bashkisë Shkodër, treguan se fitorja nuk është aq bindëse kur ka përçarje, sic kishte ndodhur në cdo palë zgjedhje ku PD e bashkuar fitonte me mbi 10 mijë vota përballë PS-së. Ky do të duhej të ishte mësim për të reflektuar dhe korigjuar gabimin e bërë nga tensionet dhe përplasjet e brendshme, por nuk po ndodh dhe palët ecin diametralisht në rrugë të kundërta! Situata mbetet delikate edhe për shkak se koalicioni me PL e Ilir Metës në Shkodër mund të quhet i dështuar, pasi deputeti i këtij qarku ju bashkua PS-së dhe natyrshëm votat e tij Agron Çela do ti dërgojë drejt kandidatit Beci. E majta në pamje të parë duket e qetë nga ana e bashkëpunëtorëve, pasi i ka rreshtuar të gjithë në një linjë, duke mbajtur krah saj aleatin e përhershëm Tom Doshin dhe duke shtuar faktorin PL të Agron Çelës. I gjithi ky zhvillim po kalohet lehtë nga të djathtit që vijojnë të sulmojnë njeri – tjetrin, të flasin për pakënaqësi, e të bëjnë llogari sa merr njera palë e sa merr tjetra, duke shkuar deri aty sa të fërkojnë duart edhe për prishje pune që mund të ndodhë në gjithë këtë histori. Sfida kryesore padiskutim i mbetet Sali Berishës dhe drejtuesit politik të qarkut, njëherësh kryetar në detyre I bashkisë Shkodër, Bardh Spahia, si fitues të 6 Marsit dhe përfaqësues të shumicës së të djathtës në Shkodër. Në këto muaj të mbetur duhet gjetur rruga për të maksimizuar votat, të vihet në punë struktura për të thelluar rezultatin e 6 Marsit dhe për të bashkuar të pakënaqurit që nuk kanë hezituar në këto muaj të shfaqin qëndrimet e tyre, qoftë në mjedise të mbyllura, por edhe publike. PD e ka betejë “egzistence” 14 Majin, pasi vjen në këtë garë pas lënies së të gjitha pushteteve në duart e mazhorancës, e ku sot gëzon vetëm Bashkinë Shkodër. Nëse nuk merren në konsideratë të gjitha analizat dhe llogaritë nuk bëhen me zgjuarsi, kjo betejë elektorale mund të rezultojë e rëndë për të gjithë, pasi në fund të ditës sido që të shprehet gjykata, e cfarëdo që të vendosë e rëna e çekiçit, ajo nuk mund të jetë më e fortë se vullneti dhe mundi i demokratëve që kanë sakrifikuar në gjithë këto vite!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks