Të bësh fushatë duke përdorur pushtetin është sot gjëja më e lehtë për këdo, edhe për atë që i ka hyrë rishtazi politikës, apo që nuk ka qënë kurrë i rreshtuar në krah të saj. Një komoditet i dhuruar, ku të gjithë të rrijnë gati nga urdhërat që vijnë prej lart, ndërsa trumbeton me të madhe investimet që janë “bërë”, apo që do të bëhen me paratë e taksapaguesve shqiptarë dhe jo vetëm. Megjithëse jemi larg fushatës elektorale të 14 Majit 2023, si viti që u mbyll ashtu edhe ky që ka nisur, që në ditët e para po na dhuron shfaqje të shëmtuara prej atyre që vota i ka dërguar në aureolën më të lartë të politikës dhe vendimarrjes, parlamentin shqiptar. Një deputet i mandatuar, i cili duhet të jetë zëri i qytetarëve që e kanë votuar, por edhe atyre që votën nuk ja dhanë, por i përfaqëson si i zgjedhur i qarkut, është kthyer në reklamuesin e qeverisë së tij dhe “shpëtimtarin” e Shkodrës në këto orë. I mbajtur larg që pas 25 prillit prej këtij qyteti dhe i dërguar për reflektim për disa muaj në malet e Pukës, Benet Beci u rikthye në Shkodër, këtë herë për t’jua prezantuar shkodranëve si kandidat për dhëndërr nga partia socialiste. Kjo e fundit që prej 30 vitesh Shkodrën e ka parë thjesht si një hambar për të marrë disa vota më shumë, me lloj – lloj strategjish, sot po kërkon t’i vesh kostumin e kollaren një njeriu i cili i ka përqafuar të gjitha pushtetet, e ka ngrënë me të gjitha lugët e mundshme në këto 20 vite. Herë me demokratët dhe herë më socialistët ai ka bërë rolin e “drejtorit të paprekshëm” në poste kyçe, e ku investimet e realizuara në ato pozicione, sot po kërkon t’i shesë si suksese të tijat dhe iniciativa që po të mos kishte qënë ai, nuk do të ishin realizuar asnjëherë. Por në fakt deputeti Beci duhet ta dijë më mirë se askush se postet nuk i ka merituar apo fituar përmes konkurseve, por i janë dhuruar nga politika, e cila ka përcaktuar edhe strategjitë e investimeve. Shkodranëve të cilëve sot po kërkon t’u hedhë hi syve, ai sot ka minimalisht moralin t’u përgjigjet për shumë pyetje që të gjithë i kanë:
Z. Beci, nga marrja e mandatit tuaj si deputet, sa herë keni folur për Shkodrën në foltoren e Kuvendit, qoftë për mungesën e investimeve, varfërinë e thelluar dhe krizën që po përjeton si qark?
Z. Beci, përse nuk thatë asnjë fjalë kur ministrja e kabinetit qeveritar që ju përfaqësoni rrëzoi projektin e rrugës së Komanit dhe e cilësoi investim jo të domosdoshëm, duke e parë këtë perlë të natyrës, si provincë të turizmit?
Z. Beci, si ka mundësi që nuk ju doli asnjë fjalë si deputet i Shkodrës për torturën që përjetuan gjithë verën shkodranët dhe ata që vizituan këtë qark, duke qëndruar edhe mbi 4 orë në trafikun e cmendur të një rrugë qe vetëm emrin ka të tillë, asaj Shkodër – Tiranë?
Z. Beci po përmbytjet që pak javë më parë i lamë pas e që vijojnë të shkaktojnë dëme miliona euro, si nuk patët një reagim në kuvend, apo qoftë edhe një projekt të prezantuar, përveç daljeve për shoë që bëtë në Dajç dhe hyrje të rrugës së Obotit?
Z. Beci ju mund të mos keni faje të drejtëpërdrejta që Shkodra është kjo që është sot, por natyrshëm që keni shumë për të thënë dhe mbajtur si përgjegjësi, për aq kohë sa përfaqësoni një forcë politike që ka 9 vite që qeveris vendin, apo 3 mandate nëse e doni ndryshe të thënë. Gjithashtu në ballafaqimin me qytetarët keni shumë për t’ju shpjeguar edhe atyre që aderojnë në partinë tuaj, e ju kanë votëbesuar, që ju keni servirur drejtues nga Jugu prej vitesh të drejtorinë drejtoritë kryesore, ose më mirë ato që kanë mbetur, sepse shumë prej tyre me një të rënë lapsi qeveria juaj i transferoi në Lezhë e Mirditë, duke e parë Shkodrën si provincë. Të zgjedhësh ta përdorësh Shkodrën për politikë, e ta kthesh luksin që të jep pushteti në favorin tënd për një fushatë, nuk është e vështirë, por Shkodra dhe shkodranët janë aq të zgjuar t’i bëjnë dallimet e të japin pergjigjen që duhet në cdo kohë! Lëreni Shkodrën të ecë në rrjedhat e saj, duke mos e baltosur, duke mos e nëpërkëmbur e duke mos e parë si provincë, sepse mjaft e keni bërë në këto 9 vite, aq sa kjo luftë e cmendur po e shterron një nga qytetet më të vyera të kombit shqiptar, që ka përfaqësuar aq shumë në rrjedhën e shekujve në historinë e Shqipërisë.
Ballina Analiza dhe Komente Benet Beci, deputeti që kërkon në luksin e pushtetit të gënjejë shkodranët...






