Kryeqyteti italian, Roma, ka nisur të hënën e parë të vitit të ri 2023 nën masa të forta sigurie. Dhjetëra mijëra besimtarë nga e gjithë bota kanë mbërritur në Romë për të bërë homazhe e për t’i dhënë lamtumirën e fundit Papës së Nderit Benedikti i XVI, i cili u nda nga jeta mëngjesin e 31 dhjetorit.

Prej orës 9.00 të mëngjesit të sotëm në Bazilikën e Shën Pietros, ka nisur rituali i homazheve të nderit, i cili do të vijojë për tre ditë rresht deri ditën e enjte 5 janar 2023, kur do të zhvillohet ceremonia e varrimit.

Prefekti i Romës, Bruno Frattasi ka informuar se janë rreth 35 mijë besimtarë që kanë mbërritur në Romë për të nderuar Papën e Nderit e në ditën e varrimit, ceremoniali i të cilit do të nisë në ora 9.30 të mëngjesit të së enjtes, e do të drejtohet nga Papa Françesku, janë parashikuar të mbërrijnë rrreth 60 mijë besimtarë të tjerë.

Prefekti i Romës ka informuar se një plan masash sigurie është projektuar e ka hyrë në zbatim që në mëngjesin e sotëm e janë rreth 1000 trupa policorë që prej mëngjesit kanë nisur partullimin e rrugëve kryesorë që çojnë drejt sheshit “Shën Pietro” në Vatikan, si dhe në pikat strategjike të qytetit. Besimtarët, të cilët prej orëve të para të mëngjesit të sotëm janë pozicionuar përreth mureve të Vatikanit, do të ndjekin një protokoll të caktuar lëvizje duke u lejuar të hyjnë në pjesën anësore të Bazilikës, ndërsa dalja e tyre do të jetë në pjesën qëndrore.

Sa i takon ceremonialit të vdekjes, gjithçka është e re për Selinë e Shenjtë, pasi kurrë më parë nuk ka ndodhur që një Papë të celebrojë meshën e vdekjes së një Pape Nderi.

Sipas dëshirës së lënë amanet nga Papa Benedikti i XVI, ceremonia e vdekjes do të jetë e thjeshtë dhe pse do të jenë solemnimisht zyrtare.

Prej mëngjesit të 31 dhjetorit 2022 kur u nda nga jeta, e deri sot, kur mbërriti në Bazilikën e Shën Pietros, trupi i Papa Joseph Ratzinger ka qëndruar në manastirin e Mater Ecclessiae. 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu