Ishte data 9 shator 2021, rreth orës 19:00, ish-kreu i PD-së Lulzim Basha bëri një dalje për mediet nga selia blu ku njoftoi se Sali Berisha është përjashtuar nga grupi parlamentar.
Aso kohe, Basha në fjalën e tij tha se ky vendim po merret për shkak të shpallje non grata nga e SHBA-ve në maj.
Ai e lavdëroi Berishën dhe rolin e tij në PD si themelues dhe tha se SHBA-të konsiderohen si një aleat strategjik i rëndësishëm për Shqipërinë.
Ndërkohë, pas kësaj daljeje të Bashës një furtunë e vërtetë shpërthyer në PD. Berisha hodhi akuza të forta ndaj Bashës dhe nisi atë që e quajti si Foltore, ku bëri takime me demokratët në qytete të vendit.
Aty ai shpalosi planin e tij për të rimarrë PD-në dhe për të përzënë Bashën, për të cilën tha se ishte i shitur dhe peng i Ramës.
Foltorja e tij kulmoi në 11 dhjetor ku mbajti Kuvendin e PD-së në stadiumin “Air Albania” dhe ku u vendos Komisioni i Rithemelimit si organi drejtues i PD-së, deri në zgjedhjen e kryetarit të ri.
Ndërkohë Basha mbajti një tjetër Kuvend të PD-së në 18 dhjetor duke hedhur poshtë vendimet e Berishë më 11 dhjetor.
Kampet u ndanë në dy palë; mbështetësit e Bashës nuk njihnin vendimet e Berishës dhe anasjelltas, duke bërë që situata të agravojë deri në përplase fizike.
Do të ishte 8 janari, ultimatumi që i kishte dhënë Rithemelimi Bashës për të dorëzuar ambientet e PD-së, data në të cilët mbështetësit e të dyja kampeve do të përplaseshin me dhunë, gaz dhe dyer të blinduara. Do të duhej ndërhyrja e policisë që situata të qetësohej.
Do të ishin zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit ato që do të zhvillonin “përplasjen” e parë elektorale mes kahut të Bashës dhe Berishës, ku ky i fundit, duke u futur në lista te LSI-së aso kohe, mundi të marrë një bashki nga 6 të tilla, Shkodrën, ndërsa Basha doli duart bosh.
Më 21 mars, Lulzim Basha jep dorëheqjen si kryetar i Partisë Demokratike duke argumentuar vendimin e tij Basha tha se po e ndërmerr këtë hap për të bashkuar PD-në.
Më 25 mars, gjykata e Tiranës më herët pranoi kërkesën e grupit të Rithemelimit për ndryshimet për statutin e PD të bazuara nga kuvendi i 11 dhjetorit, i mbajtur nga Sali Berisha.
Nga ana tjetër Alibeaj, kryetari i emëruar i PD-së nga Basha, Enkelejd Alibeaj e çoi në Apel këtë çështje, ku është edhe sot.
Berisha zgjidhet me 22 maj kreu i ri i PD-së me rreth 41 mijë vota të demokratëve, në një proces ku përballë kishte Ibsen Elezin.
Ndërsa sot shënohet fiks një vit nga kjo deklaratë e Berishës, situata në PD ka ndryshuar totalisht. Basha nuk është më kryetar i PD-së, ndërsa në krye të saj qëndron Berisha, edhe pse nuk njihen nga një pjesë e PD-së. Po ashtu Berisha nuk e njeh si kryetar grupi Alibeaj, dhe në vend të tij thotë se ka vendosur Luçiano Boçin.
Në gjithë këtë tablo akuzash dhe mos njohjesh, duket se PD pas një viti vazhdon të jetë e përçarë dhe jo e bashkuar në aksionin dhe veprimtarinë e saj opozitare, së paku ashtu sikurse ishte para 9 shtatorit 2021.
Ndërkohë, Berisha ndodhet edhe nën presionin ndërkombëtar ku përpos SHBA-ve, edhe Britania e shpalli non grata ish-kryeministrin, ndërkaq ata njohin vetëm palën e Bashës dhe Alibeajt si legjitime në PD.
Kështu, PD-ja, në prag të zgjedhjeve lokale në 2023, përpos betejës që do të ketë me Ramën dhe PS-në, do të vazhdojë të ketë edhe një betejë mes vetes.
Oranews