Primaret i përcaktuan kandidatët që zyrtarisht demokratët do të kenë në garën për kryetar bashkie në 14 Maj 2023 në pjesën më të madhe të bashkive. Sa i përket qarkut Shkodër, emrat janë mësuar për 3 prej këtyre bashkive, ku Bardh Spahia rikonfirmohet për të kërkuar tashmë një mandat të plotë në Shkodër, Zef Hila bëhet gati të dorëzojë mandatin e deputetit për të qënë sërish në garën për drejtimin e bashkisë, këtë herë asaj Vau Dejës dhe nga ana tjetër Rrok Dedaj do të sfidojë socialistët në Pukë për të rikthyer këtë bashki të djathtë. Pa një zgjidhje mbetet vetëm Malësia e Madhe për shkak të problemeve që ka patur atje me përjashtimin e dy kandidatëve nga primaret, Isa Ramaj dhe Fredi Sterkaj, si dhe Fushë Arrëzi ku pas balotazhit mes Hile Currit dhe Hil Kolës do të ketë një votim të dytë për të caktuar fituesin raporton newspower. Ajo që natyrisht është surprizuese deri më tani në këtë proçes është dorëheqja e Zef Hilës nga mandati i deputetit, duke ndryshuar konfigurimin e listës së deputetëve të djathtë në kuvend. Ikja e tij i hap rrugë futjes në kuvend të kandidatit nga Puka, biznesmenit Ludovik Hasanaj i cili renditej i gjashti në listë, menjëherë pas Zef Hilës. Nëse do të ndodh edhe tërheqja e Ramadan Likaj që po përflitet si një as nën mëngë për Malësinë e Madhe, atëherë kjo listë ndryshon sërish pasi në kuvend mund të futet kreu i PDK Nard Ndoka, i teti ose Izmira Ulqinaku e nënta sipas newspower.al. Kjo do të vendoset nga KQZ në varësi të kuotave që duhet të plotësohen mbi përqindjen e grave në kuvend.
Ballina Analiza dhe Komente Primaret ndryshojnë edhe përfaqësimin politik në kuvend për qarkun Shkodër






