Nënkampionët e Botës ngjiten në katedër bashkë me rekordmenët 5 herë kampionë bote. Kroacia rikthehet në fushën e gjelbër pasi largoi Belgjikën ndërsa surpriza Japoni edhe pse në letër konsiderohet jofavorite, mund të shkaktojë një tjetër tërmet pas atij që shkundi Gjermaninë.
Llogatitë në këtë fazë janë të kota dhe skuadra me më shumë muskuj e freski mendore mund të luajë me kthjelltësi për të kërkuar çerekfinalen. Ballkanasit me një grup yjesh në mesfushë dhe mbrojtjen e rilindur prezantohen me armatën e rëndë Kovacic-Modi- Brozovic dhe Kramaric e Livaja në sulm ku do të kenë edhe mbështetjen e Perisic. Ekipi tashmë është formuar dhe ndryshimet do të jetë me pikatore ashtu si edhe në kampin japonez ku Hajime Moriyasu ka kombinuar me sukses një skuadër të re që premton shumë edhe për të ardhmen.
Të rrallë janë ata që mund të fiksojnë dy yje bashkë me ekipin aziatik por me siguri mund të thonë që kjo është një skuadër e cila arrin t’i bëjë ballë cdo lloj presioni të mundshëm. Në orën 20.00 do të jetë radha e një tjetër skuadre nga Azia e largët. .
Koreja e Jugut sfidon Brazilin e Tites me Vinicius, Rodrygo apo Richarlinson e Casemiro të gatshëm për të bërë sa më shumë dëme. Një hap fals në këtë fazë do të ishte një tragjedi për një vend që jeton me futbollin dhe në Brazil nuk mund të lejojnë luhatje tensioni pasi ky botëror duket se është në metrin matës të Selcaos në një kohë kur edhe legjenda Pele po vuan dhe lufton me vdekjen në një spital të San Paolos.
Sonte në fushë do të luhet futboll me zemër te dhoma ku mbreti brazilian vuan ndërsa në fushën e “Stadiumit 974”, Brazili duhet të nisë kundërsulmin edrejt finales së 18 dhjetorit por fillimisht duhet të bëjë llogaritë me një kundërshtar pak komod.






