Forca të shumta policie, FNSH, RENEA dhe njësia anti eksploziv janë vendosur ditën e sotme pranë ambasadës së Iranit në Tiranë, ndërsa bëhet me dije se rruga e saj është bllokuar me shirit sigurie.
Shiriti i sigurisë është vendosur që në hyrje të rrugës “Mustafa Matohiti” ku ndodhet ambasada, duke e bllokuar plotësisht qarkullimin në të.
Si pjesë e procedurës normale pas largimit të diplomatëve dhe marrjes së një ambasade, po futet dhe një pajisje robotike që kontrollon për eksploziv.
Pas vendimit për prishjen e marrëdhënieve, Ministri i Punëve të Jashtme të Iranit, hodhi poshtë pretendimet e qeverisë së Shqipërisë kundër Republikës Islamike të Iranit duke i cilësuar si të pabaza, dhe e cilësoi vendimin për të ndërprerë marrëdhëniet politike me vendin tonë, një veprim të pamenduar dhe dritëshkurtër në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ai shtoi se vendet e treta që mbështesin terrorizmin kanë luajtur një rol kyç në vendimin e gabuar të Shqipërisë, duke ju referuar këtu Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikë.
Kujtojmë se prishja e marrëdhënieve mes dy vendeve ka ardhur pas sulmit kibernetik të 15 korrikut mbi sistemin e të dhënave online të vendit tonë, që nxori jashtë funksionit disa faqe qeveritare. SHBA i ka dalë në krah Shqipërisë në këtë vendim, duke theksuar se do të shtojnë sigurinë në vend, ndërsa opozita, nënvizoi se vendimi është i duhur, por i vonuar, pasi ka cenuar rrugëtimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ndërkohë, një reagim ka pasur edhe nga Ministria e Jashtme e Iranit. Ministri i Jashtëm, Nasser Ka’nani ka thënë se pretendimet e Shqipërisë ndaj vendit të tyre janë të pabaza, e ata thonë se Shqipëria në këtë akt, është e ndikuar nga vende të treta, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli.