Ballina Kronike Zbardhet vrasja e ish-policit Frrok Lleshaj në Vaun e Dejës, arrest në...

Zbardhet vrasja e ish-policit Frrok Lleshaj në Vaun e Dejës, arrest në burg për Kristjan Ymerin dhe Viçesk Pirolin. Njoftimi zyrtar i policisë

Zbardhet vrasja me armë zjarri e ish-policit Frrok Lleshaj, ngjarje e ndodhur më 4 gusht 2025, në fshatin Paçram të Bashkisë Vau i Dejës. Në përfundim të hetimeve, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për dy persona, të dyshuar si autorë të vrasjes në bashkëpunim.

Sipas njoftimit të Policisë së Shkodrës, bëhet fjalë për Kristjan Ymerin, i njohur edhe si Shkambi, dhe Viçesk Pirolin. Ata dyshohen për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Hetimet janë kryer nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me prokurorin e çështjes, për identifikimin dhe dokumentimin ligjor të personave të dyshuar për këtë ngjarje të rëndë.

Ndërkohë, sipas policisë, Kristjan Ymeri ndodhet aktualisht i ndaluar për një vepër tjetër penale, ndërsa Viçesk Piroli është nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, po për një çështje tjetër penale.

Vrasja e Frrok Lleshajt ndodhi më 4 gusht 2025 në fshatin Paçram të Vaut të Dejës. Me vendimin e fundit të gjykatës, hetimet për këtë ngjarje kanë shënuar një zhvillim të rëndësishëm, ndërsa të dy personat vijojnë të konsiderohen të dyshuar deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks