Duket se akujt janë shkrirë!
Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, ka pritur në zyrën e tij presidentin e KF Vllaznia, Alban Xhaferi, trajnerin hungarez Csaba László dhe kapitenin e skuadrës, Bekim Balaj.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Beci ka bërë të ditur se gjatë takimit është diskutuar për ecurinë e skuadrës kuqeblu, objektivat për sezonin dhe bashkëpunimin mes klubit dhe Bashkisë Shkodër.
Një pjesë e bisedës i është kushtuar edhe stadiumit “Loro Boriçi”, ku kryebashkiaku ka theksuar angazhimin e institucionit që drejton për mirëmbajtjen dhe përmirësimin e kushteve infrastrukturore, si në fushën e lojës, ashtu edhe në ambientet për tifozët.
Beci i ka uruar mirëseardhjen trajnerit të ri në Shkodër dhe suksese skuadrës në objektivat e saj, duke nënvizuar se bashkëpunimi me Vllazninë do të vijojë edhe në të ardhmen.
“Vllaznia është më shumë se një skuadër futbolli. Është histori, traditë dhe krenari e gjithë Shkodrës”, shkruan Beci në reagimin e tij.






