Policia e Shtetit prezanton rezultatet e luftës kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit për vitin 2026. Në një konferencë të përbashkët me partnerët italianë të Guardia di Finanza-s, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Skënder Hita, bëri të ditur se gjatë këtij viti janë evidentuar dhe goditur 132 mijë fidanë kanabisi në tentativë kultivimi, rreth 7.5 herë më shumë se një vit më parë. Në fokus të aksionit policor kanë qenë edhe grupet kriminale, punonjësit e dyshuar për shpërdorim detyre dhe shpërndarja e lëndëve narkotike pranë shkollave. Lufta kundër kultivimit të kanabisit dhe goditja e grupeve kriminale që qëndrojnë pas kësaj veprimtarie kanë qenë në fokus të Policisë së Shtetit gjatë vitit 2026.
Në konferencën e përbashkët me partnerët italianë të Guardia di Finanza-s, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, prezantoi bilancin e operacioneve, duke theksuar se këtë vit prioritet ka qenë parandalimi i kultivimit që në fazat fillestare. Për këtë qëllim, kontrollet në terren janë intensifikuar, veçanërisht në zonat e thella rurale dhe malore, ndërsa në monitorimin e territorit janë përdorur edhe 84 dronë. Një prej treguesve më domethënës të këtij angazhimi është evidentimi dhe asgjësimi i 132 mijë fidanëve të kanabisit, të kapur në tentativë për t’u kultivuar në tokë, kundrejt 17 mijë e 447 fidanëve të evidentuar gjatë vitit 2025. “Vetëm kjo shifër dëshmon më së miri orientimin e qartë të strukturave tona drejt parandalimit të kësaj veprimtarie kriminale.”
Ndërkohë, në kuadër të goditjes së veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, gjatë vitit 2026 janë arrestuar, ndaluar dhe proceduar penalisht 165 autorë. Në hetimet për shpërdorim detyre dhe moskallëzim krimi janë proceduar penalisht edhe 89 persona, mes tyre kryetarë fshatrash dhe punonjës të institucioneve përgjegjëse për energjinë elektrike, shërbimin pyjor dhe mjedisin. Kontrollet janë shtrirë edhe në ambiente të mbyllura, ku kultivimi i kanabisit realizohej përmes përdorimit të llambave. Për këtë veprimtari janë goditur 17 raste. Një rol të rëndësishëm në këto operacione ka pasur bashkëpunimi me Guardia di Finanza-n italiane.
Gjatë vitit janë realizuar 62 misione fluturimi, 10 më shumë se në vitin 2025, ndërsa në shtatë raste është siguruar edhe asistenca e helikopterëve të Forcave të Armatosura. “Besimi i ndërsjellë, i ndërtuar ndër vite me kolegët dhe miqtë tanë të GdF-së, si dhe teknologjia e tyre e avancuar, kanë qenë një mbështetje e fuqishme për Policinë e Shtetit në goditjen e kultivimit të bimëve narkotike.” Një tjetër prioritet i Policisë së Shtetit ka qenë goditja e shitjes dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, veçanërisht pranë institucioneve arsimore dhe ambienteve të frekuentuara nga të rinjtë. Gjatë vitit 2026 janë finalizuar 31 operacione kundër shitjes së narkotikëve në afërsi të perimetrit të sigurisë së shkollave, me qëllim parandalimin e përfshirjes së të miturve dhe nxënësve në këtë fenomen.
Kreu i Policisë së Shtetit paralajmëroi se lufta kundër narkotikëve do të vijojë edhe gjatë vitit 2027, me fokus jo vetëm kultivuesit, por veçanërisht organizatorët, financuesit, importuesit e farave narkotike dhe përfituesit e kësaj veprimtarie kriminale. “Vitin 2027 do ta përqendrojmë të gjithë angazhimin tonë në rritjen e forcës parandaluese dhe goditëse kundër kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të hapura dhe të mbyllura, identifikimin e rrjeteve që importojnë fara narkotike, si dhe identifikimin dhe ndalimin e organizatorëve, financuesve dhe përfituesve të vërtetë të kësaj veprimtarie kriminale.” Policia e Shtetit deklaron se do të vijojë bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë dhe institucionet ligjzbatuese, me synimin për të goditur të gjitha hallkat e veprimtarisë kriminale, nga kultivimi dhe prodhimi, deri te shpërndarja dhe trafikimi i lëndëve narkotike.






