Vllaznia ka siguruar një fitore të rëndësishme në javën e 11-të të Kategorisë Superiore, duke mundur Elbasanin me rezultatin minimal 1-0 në stadiumin e Shkodrës.
Goli që vulosi triumfin e kuqebluve u shënua nga Uldedaj në minutën e 45-të, duke i dhënë avantazhin vendasve në momentin e fundit të pjesës së parë. Një kontribut të rëndësishëm në këtë sukses dha edhe portieri Jukaj, i cili me ndërhyrjet e tij vendimtare ndali tentativat e Nikajt dhe Mazarit për të gjetur rrugën e rrjetës.
Elbasani pati mundësitë e veta për të ndryshuar rezultatin, ndërsa një rast të mirë për shënim krijoi edhe kapiteni Lulaj, por goditja e tij përfundoi jashtë kuadratit.
Me këtë fitore, Vllaznia ngjitet në kuotën e 12 pikëve dhe rikthen veten në vendin e shtatë të renditjes, duke kaluar Partizanin. Ndërkohë, Elbasani pëson humbjen e parë që prej marrjes së drejtimit nga trajneri Glen Daja dhe mbetet në vendin e pestë, me 15 pikë të grumbulluara.






