Policia e Shtetit ka paralajmëruar këtë të hënë për qarkullimin e mesazheve mashtruese që u dërgohen qytetarëve në emër të institucioneve bankare me qëllimin e vetëm për tu marrë atyre të dhënat dhe eventualisht paratë në llogari. Policia e Shtetit, nëpërmjet strukturave të specializuara për Hetimin e Krimit Kibernetik, paralajmëron qytetarët për qarkullimin e mesazheve telefonike (SMS) mashtruese, të cilat dërgohen në emër të institucioneve të ndryshme bankare, me qëllim vjedhjen e të dhënave personale dhe bankare, si dhe përvetësimin e paligjshëm të fondeve nga llogaritë e qytetarëve. Nga rastet e evidentuara, rezulton se qytetarëve u dërgohen SMS nga numra të ndryshëm telefoni, në të cilat autorët prezantohen në mënyrë të rreme si institucione bankare, duke i njoftuar se duhet të kryejnë verifikimin e identitetit brenda një afati të shkurtër kohor, zakonisht 24 ose 31 orë. Në përmbajtje të këtyre mesazheve vendosen lidhje elektronike (linke), të cilat nuk u përkasin faqeve zyrtare të bankave, por synojnë t’i orientojnë qytetarët drejt faqeve të falsifikuara, të krijuara për të përvetësuar të dhënat e tyre. Kjo formë mashtrimi kibernetik, e njohur si “Smishing”, synon të shfrytëzojë besimin e qytetarëve ndaj institucioneve bankare dhe ndjesinë e urgjencës që krijohet nga afatet e vendosura në mesazhe. Nëpërmjet këtyre faqeve, autorët synojnë të sigurojnë të dhëna të ndjeshme, si numrat e kartave bankare, fjalëkalimet e shërbimeve bankare online dhe kodet e verifikimit. Këto të dhëna mund të përdoren më pas për të siguruar akses të paautorizuar në llogaritë bankare të qytetarëve dhe për të kryer transaksione financiare, duke përvetësuar fondet e tyre. Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të ndjekin këto masa parandaluese: -Mos klikoni në lidhjet elektronike që përmbajnë SMS-të e dyshimta, pavarësisht se në përmbajtjen e tyre mund të shfaqet emri i një banke të njohur. -Mos jepni në asnjë rast të dhënat e kartave bankare, fjalëkalimet, PIN-et apo kodet e verifikimit në faqe të hapura përmes këtyre mesazheve. Mos u ndikoni nga mesazhet që vendosin afate kohore për verifikimin e identitetit apo paralajmërojnë kufizimin e shërbimeve bankare. -Verifikoni çdo komunikim të dyshimtë drejtpërdrejt me bankën tuaj, nëpërmjet kanaleve zyrtare të komunikimit. -Nëse keni vendosur të dhënat tuaja bankare në një lidhje të dyshimtë, kontaktoni menjëherë bankën për të kërkuar bllokimin e kartës apo të aksesit në llogari dhe raportoni rastin në Polici. Policia e Shtetit sqaron se përdorimi i emrit të një institucioni bankar në një SMS nuk do të thotë se mesazhi është dërguar nga vetë banka. Qytetarët duhet të verifikojnë gjithmonë burimin e komunikimit dhe adresën elektronike përpara se të ndërmarrin çdo veprim. Strukturat e Hetimit të Krimit Kibernetik vijojnë punën për evidentimin dhe hetimin e këtyre veprimtarive kriminale, identifikimin e autorëve dhe parandalimin e dëmeve financiare ndaj qytetarëve. Policia e Shtetit fton të gjithë qytetarët që kanë marrë mesazhe të tilla apo kanë rënë viktimë e këtyre skemave mashtruese, të denoncojnë rastet pranë strukturave të Policisë, duke ruajtur mesazhet, numrat e telefonit nga të cilët janë dërguar dhe lidhjet elektronike që ato përmbajnë. Mbrojtja e të dhënave bankare fillon nga kujdesi i secilit prej nesh. Mos klikoni në lidhje të dyshimta dhe mos ndani të dhënat tuaja financiare!






