Presidenti i KF Vllaznia, Alban Xhaferi, ka zbuluar detaje të rëndësishme nga projekti ambicioz “Vllaznia Elite Campus”, një investim që synon t’i japë një dimension të ri zhvillimit të klubit kuqeblu dhe futbollit në Shkodër.
Në një intervistë të publikuar nga klubi, Xhaferi e ka cilësuar këtë projekt si një moment historik për Vllazninë, duke bërë të ditur se kompleksi do të ndërtohet në një sipërfaqe prej rreth 70 mijë metrash katrorë tokë në pronësi të klubit, në zonën e Omarajt, në Malësinë e Madhe, vetëm 10 minuta larg Shkodrës.
Projekti, i cili ndodhet aktualisht në fazën e projektimit, është konceptuar të realizohet në dy faza. E para parashikon ndërtimin e katër fushave futbolli, tri me bar natyral dhe një me bar sintetik, në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Futbollit.
Ndërsa faza e dytë është edhe më ambicioze. Ajo përfshin ndërtimin e një stadiumi modern me rreth 3 mijë vende, fusha minifutbolli, një pallat sportiv multifunksional, si dhe një kompleks hotelier me ambiente akomodimi, restorante, salla konferencash, qendër fitnesi, SPA, pishinë dhe hapësira të dedikuara për rikuperimin e sportistëve.
“Ambicia jonë është që ‘Vllaznia Elite Campus’ të mos jetë thjesht një qendër stërvitore, por një destinacion sportiv ndërkombëtar, një nga komplekset e referencës në Ballkan”, shprehet Xhaferi.
Një nga objektivat kryesorë të këtij investimi është zhvillimi i akademisë së Vllaznisë dhe krijimi i një strukture profesionale për identifikimin, edukimin dhe përgatitjen e talenteve të reja. Sipas presidentit kuqeblu, kompleksi do t’u shërbejë të gjitha strukturave të klubit, nga ekipi i parë dhe ai i vajzave, te Vllaznia B dhe grupmoshat e akademisë.
Xhaferi ka theksuar gjithashtu se projekti synon të ketë një dimension ndërkombëtar, duke bërë të ditur se klubi po eksploron mundësitë e bashkëpunimit me UEFA-n, FIFA-n, Fondacionin e EFC-së dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë.
Në vizionin e drejtuesve të Vllaznisë, kompleksi i ri mund të presë ekipe kombëtare, klube europiane, faza përgatitore, turne ndërkombëtare të akademive dhe programe të zhvillimit të talenteve.
Presidenti i Vllaznisë ka vlerësuar edhe rëndësinë e bashkëpunimit institucional, duke falënderuar presidentin e FSHF-së, Armando Duka, kryetarin e Bashkisë Shkodër, Benet Beci, kryetarin e Bashkisë Malësi e Madhe, Tonin Marinaj, si dhe kryeministrin Edi Rama për mbështetjen dhe gatishmërinë e shprehur ndaj iniciativave për zhvillimin e futbollit në Shkodër.
Përtej projektit infrastrukturor, Xhaferi ka folur edhe për të ardhmen e klubit, duke konfirmuar se Vllaznia mbetet e hapur ndaj investitorëve dhe partnerëve të rinj që mund të kontribuojnë në zhvillimin e mëtejshëm sportiv dhe ekonomik të saj.
Gjatë drejtimit të tij, Vllaznia ka fituar dy Kupa të Shqipërisë dhe ka siguruar pjesëmarrje të rregullta në kompeticionet europiane. Megjithatë, sipas Xhaferit, objektivi është që klubi të hedhë një hap tjetër përpara, duke ndërtuar një strukturë më profesionale dhe financiarisht më të qëndrueshme.
“Vllaznia nuk është thjesht një klub futbolli. Është një institucion, një histori dhe një përgjegjësi e madhe ndaj Shkodrës dhe tifozërisë sonë”, përfundon presidenti kuqeblu.
“Vllaznia Elite Campus” shihet kështu si një prej projekteve më të rëndësishme strategjike të klubit, me synimin që tradita e futbollit shkodran të mbështetet tashmë edhe në një infrastrukturë moderne dhe standarde europiane.
Burimi: KF Vllaznia – Zyra e Marrëdhënieve me Publikun dhe Marketingut.





